Gjenden 1 milion euro të groposura në oborrin e banesës së Hajdar Bakos- Kush i pastronte paratë e Çopjave?
Sasia prej mbi 1 milion euro e sekuestruar nga SPAK gjatë operacionit “Gordonët” të zhvilluar në 29 korrik, mësohet të jetë gjetur në banesën e Hajdar Bakos.
Shuma e eurove është groposur në oborrin e shtëpisë së Bakos, por gjatë kontrolleve nga oficerët e policisë është bërë zbulimi i kartëmonedhave të ndryshme që ishin fshehur në oborrin e shtëpisë.
E gjithë sasia monetare që i përket valutave të ndryshme është mbyllur në një llogari bankare që administrohet nga SPAK.
Ndërkohë prokurorët e SPAK që hetojnë procedimin Nr.75, pretendojnë se përmes bisedave të “SKY” ata kanë zbardhur dhe linjën e transferimit të parave nga disa shtete të huaja drejt Shqipërisë, shkruan Ora News.
Një gjë e tillë është kryer përmes një pike të këmbimit valutor, që administrohet nga Maklen Mici dhe Bashkim Lika, të dy të vënë nën hetim nga SPAK për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Kjo pikë e këmbimit valuator që prej 13 shtatorit 2007 ndodhet në rrugën “4 shkurti” përballë Bankës së Shqipërisë në Tiranë, ku 60 për qind të aksioneve i zotëron Bashkim Lika dhe 40 për qind të pronësisë së saj i zotëron Maklen Mici.