34 të arrestuar në aksion të madh kundër skemave piramidale dhe bixh*ozit të paligjshëm në Kosovë
Një operacion i gjerë i zhvilluar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka rezultuar me arrestimin e 34 personave të dyshuar për përfshirje në skema piramidale dhe bixhoz të paligjshëm.
Gjatë bastisjeve, autoritetet kanë sekuestruar prova të shumta materiale, përfshirë rreth 170 mijë euro para të gatshme, pesë automjete, armë zjarri si dhe pajisje të ndryshme që dyshohet se janë përdorur për aktivitete të kundërligjshme.

Me vendim të prokurorit, 29 persona janë dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.
Aksione të veçanta janë zhvilluar edhe në Skenderaj, ku janë kontrolluar 15 lokacione, janë arrestuar 8 persona, prej të cilëve 4 janë dërguar në mbajtje.

Autoritetet theksojnë se këto operacione përfaqësojnë një angazhim të fuqishëm institucional në luftimin e krimit të organizuar dhe aktiviteteve të paligjshme që rrezikojnë rendin juridik dhe sigurinë publike.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë kanë vlerësuar lart profesionalizmin e zyrtarëve të përfshirë dhe kanë bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët në raportimin e çdo aktiviteti të dyshimtë. /IO


