24-11-2024

Spanca: 129 punonjës të komunitetit serb janë paguar 800 mijë € pa shkuar në punë fare

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka dhënë Opinion të Kualifikuar rreth Raportit Vjetor të Auditimit. Arsyet e kualifikimit të opinionit, kanë qenë për shkak se vlera e gabimeve të identifikuara në Pasqyra financiare ka qenë materiale, raporton Ekonomia Online.

Kështu ka thënë Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca, gjatë raportimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Sipas Spancës, shpenzimet në vlerë rreth 10 400,000 euro janë klasifikuar në kategori jo adekuate. Prej tyre, si rezultat i buxhetimit jo adekuat janë keq klasifikuar 5 600,000€, për shkak të vendimeve gjyqësore afër 3 800,000 €, ndërsa si të ndikuara nga vetë Organizatat Buxhetore vlera e keq klasifikimeve është afër 1 000,000 €; Megjithatë, në raport me vitin paraprak kishte përmirësime në vlerë prej 3 milionë euro.

“Po ashtu, në pasqyrën e shpalosjeve, në shtojcat lidhur me pasuritë kapitale, llogaritë e arkëtueshme, detyrimet kontingjente dhe detyrimeve të papaguara të Raportit Financiar vjetor të buxhetit të shtetit kishte shpalosje të vlerave të gabuara në vlerë materiale”, tha Spanca.

Auditorja e ZKA-së, tregoi edhe për punonjësit serb që paguhen nga buxheti i shtetit pa shkuar fare në punë. Kjo është bërë falë Marrëveshjes se Brukselit e që i ka kushtuar buxhetit 800 mijë euro për 129 punonjës.

“Kryerja e pagesave në vlerë prej afër 800 000 €, për punonjës të komunitetit serb të angazhuar në bazë të Marrëveshjes se Brukselit pa u evidentuar vijueshmëria e tyre në punë; Në krahasim më vitin e kaluar janë ndërmarrë disa masa. (Nga 199 sa ishin në vitin e kaluar, këtë vit kanë mbetur 129 punonjës të shpërndarë në 4 ministri”, deklaroi Spanca, teksa foli edhe për borxhin shtetëror.

“Borxhi shtetëror në fund të vitit 2022, kishte arritur në vlerë 1 753 200,000 € apo rreth 20 për qind e BPV-së (40% është e lejuar me ligj). Borxhi i brendshëm ishte 1 112 000,000 €, ndërsa borxhi ndërkombëtar ishte 641 200,000€. Në raport me vitin e kaluar borxhi i përgjithshëm ka shënuar rritje për 4%. Sfidë mbetet mos efikasiteti në shfrytëzimin e fondeve të marra si hua të jashtme i shkaktuar kryesisht nga problemet me menaxhimin e projekteve infrastrukturore. Niveli i shpenzimit të këtyre fondeve nga borxhi ndërkombëtar mbetet i ulët (për shtatë (7) projekte/kredi në vlerë prej 177 900,000 € të ratifikuara përgjatë viteve 2017 deri 2022, nuk janë tërhequr fare mjetet financiare). Në këtë nivel të ulët të shpenzimit ka ndikuar planifikimi jo i mirë i projekteve, vonesat në procesin e shpronësimeve si dhe mangësi tjera. Në vitin 2022, të hyrat e buxhetit ishin në vlere prej 2.6 miliardë € që krahasuar me vitin 2021 ishin rritur rreth 6 për qind”.

Spanca tregoi edhe për humbjet që kanë ndërmarrjet publike. Sipas saj, nga 12 prej tyre, pesë kanë operuar me humbje, raporton EO.

“Nga analiza e bërë për 12 Ndërmarrje Publike, mbi rezultatin financiar (fitimi/humbja) vërehet se, pesë prej tyre kanë operuar me humbje në vlerë prej mbi 10 milionë euro, ndërsa shtatë  tjerat kanë realizuar një fitim prej mbi 110 milionë euro. Pjesën më të madhe të humbjeve për vitin 2022 e kishte Ndërmarrja Publike Banesore në shumën prej 4.3 milionë euro, kurse fitimin më të madh e kishte realizuar KEK-u në shumën prej mbi 105 milionë euro. Sidoqoftë, krahasuar me vitin paraprak në 4 NP vërehet një trend pozitiv në uljen e humbjeve, nga të cilat kryeson Telekomi i Kosovës. Ndërsa gëzon fakti se përveç NPB-së, asnjë nga NP-të tjera nuk ka treguar elemente të rritjes materiale te nivelit të humbjes”, tha Spanca.

Asnjë koment

Comments are closed.