Spektakël i rrallë në qiell: “Hëna e Përgjakur” mahniti botën, u pa edhe në Kosovë
Një nga fenomenet më të rralla astronomike, eklipsi total hënor i njohur si “Hëna e Përgjakur”, ka mahnitur miliona njerëz në mbarë botën.
Qielli u shndërrua në një skenë mistike, teksa Hëna mori një ngjyrë të kuqërremtë të thellë që pushtoi horizontin e natës.
Ky spektakël u pa qartë edhe në Kosovë, ku qielli i kthjellët u dha qytetarëve mundësinë ta shijojnë këtë moment unik.
Pamje të ngjashme u publikuan nga qytete të ndryshme të botës, duke treguar madhështinë e këtij fenomeni qiellor.
“Hëna e Përgjakur” ndodh kur Dielli, Toka dhe Hëna rreshtohen në një vijë të drejtë.

Gjatë eklipsit, hija e Tokës mbulon Hënën, ndërsa atmosfera jonë filtron dritën blu dhe lejon që në sipërfaqen e saj të reflektohet vetëm drita e kuqe.
Fenomeni nuk tërhoqi vetëm vëmendjen e astronomëve dhe adhuruesve të universit, por gjithashtu u shoqërua me rituale, meditime dhe vëzhgime në vende të ndryshme të globit, duke e kthyer këtë natë në një përvojë të paharrueshme për miliona njerëz.