Standardet minimale për procesin e konsultimit publik në nivel lokal
EC Ma Ndryshe ka organizuar tryezën e diskutimit “Standardet minimale për procesin e konsultimit publik në nivel lokal” mes përfaqësuesëve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Komunës së Prizrenit, shoqërisë civile dhe medias.
Në këtë tryezë panelistë ishin Rozafa Ukimeraj nga MAPL, Artan Abrashi nga Komuna e Prizrenit dhe Edon Mullafetahu nga EC Ma Ndryshe. Përfaqësuesja e MAPL njoftoi pjesëmarrësit për nismën që kjo ministri ka marrë për hartimin e rregullores si dhe rolin e përfshirjes së komunave në procesin e përpilimit të saj.
Si çështje me rëndësi dhe problematike që u shfaq nga Komuna e Prizrenit ishte interesimi i ulët i pjesëmarrjes qytetare në dëgjime publike dhe u kërkua që kjo rregullore të caktojë një periudhë tjetër kohore më të përshtatshme kur organizohen tubime të tilla.
Në të njëjtën kohë komuna mirëpriti bashkëpunimin që po e ofron shoqëria civile në mobilizim të komunitetit, duke e lehtësuar procesin e identifikimit të nevojave të tyre. Në të njëjtën kohë Drejtoria e Urbanizmit në Prizren shprehi gatishmërinë për të qenë pjesë e këtij procesi dhe për të ndarë kontributin e këtij institucioni.
EC në këtë takim njoftues ndau eksperiencën e vet në lidhje me mobilizimin e komunitetit dhe besimin tashmë të krijuar në këtë aspekt nga qytetarët, por duke e theksuar që ky nivel besimi duhet të jetë synim i radhës i raportit komunë – qytetar.
Kjo tryezë nxori si përfundim që një vëmendje e madhe duhet të vihet në krijimin e mekanizmave të tilla që do të siguronin zbatimin e rregullores në mënyrë që ky dokument të vihet në funksion dhe të arrihet një avancim i konsultimeve publike.