Statusi për Prizrenin, kryeqytet historik, pa peshë juridike
Njohja e Prizrenit si kryeqytet historik, në kuadër të Ligjit për kryeqytetin e Republikës së Kosovës – Prishtinën, ka shkaktuar emocione pozitive te një numër i konsiderueshëm i deputetëve dhe qytetarëve prizrenas, shkruan sot “Koha Ditore”.
Mirëpo, pak kohë pasi ligjvënësit ia kanë caktuar këtë epitet Prizrenit, autoritetet komunale të qytetit jugor kanë vlerësuar se bëhet fjalë për një vendim me karakter simbolik, i cili ka nevojë që të plotësohet me legjislacion dhe fonde në të ardhmen. Ndërsa njohës të çështjeve të pushtetit lokal nga ky qytet kanë vlerësuar se Ligji për kryeqytetin e Republikës së Kosovës – Prishtinës, nuk është dashur që të ngarkohet me një paragraf të tillë.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se vendimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës aktualisht ka vetëm karakter simbolik dhe se vërteton një atribut karakteristik të Prizrenit.