01-10-2026

Studimi alarmon: Mbi 90% e produkteve plastike përmbajnë kimikate të rrezikshme

Një raport i ri ka ngritur shqetësime për përhapjen e gjerë të kimikateve potencialisht të rrezikshme në produktet plastike të përdorimit të përditshëm, nga ambalazhet e ushqimeve dhe lodrat e fëmijëve, te veshjet, produktet e higjienës dhe pajisjet mjekësore.

Sipas një analize të publikuar nga Fondacioni për Drejtësinë Mjedisore (EJF), rreth 93% e kimikateve të njohura që përdoren në plastikat e zakonshme paraqesin rrezik të lartë për shëndetin e njeriut.

Autorja kryesore e raportit, Naima Fenderl, tha se studiuesit analizuan efektet që këto substanca mund të kenë në organizëm dhe i krahasuan ato me nivelet e ekspozimit, me qëllim vlerësimin e rrezikut të përgjithshëm për shëndetin.

Sipas raportit, dëmet potenciale përfshijnë kancerin, ndryshimet gjenetike, çrregullimet hormonale, dëmtimin e sistemit riprodhues dhe toksicitetin ndaj organeve.

 

Analiza nxjerr në pah përqindje të larta të kimikateve të konsideruara me rrezik në një gamë të gjerë produktesh.

Sipas të dhënave të raportit, rreth 92% e kimikateve në plastikat që bien në kontakt me ushqimin konsiderohen me rrezik të lartë. Rreth 89% e lodrave për fëmijë përmbajnë plastikë të klasifikuar me rrezik të lartë, ndërsa rreth 93% e tekstileve dhe veshjeve janë prodhuar me kimikate të konsideruara të rrezikshme.

Më shumë se 92% e produkteve të zakonshme shtëpiake, përfshirë shishet e ujit, enët e kuzhinës, pajisjet e kopshtarisë dhe artikujt e zyrës, përmbajnë kimikate me rrezik të lartë. Po ashtu, rreth 93% e produkteve plastike të higjienës dhe përdorimit mjekësor përmbajnë substanca të tilla.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga raporti lidhet me mungesën e të dhënave shkencore.

Nga 3,552 kimikate të analizuara që përdoren në plastikat e zakonshme, rreth 80% nuk kanë të dhëna të mjaftueshme për të përcaktuar toksicitetin ose rrezikun nga ekspozimi ndaj tyre.

Raporti, megjithatë, është kundërshtuar nga Këshilli Amerikan për Kimi, shoqata që përfaqëson industrinë e prodhimit të kimikateve në Shtetet e Bashkuara.

Kimberly Wise White, zëvendëspresidente për çështjet rregullatore dhe shkencore në këtë organizatë, tha për CNN se raporti duhet parë me kujdes të konsiderueshëm. Ajo argumentoi se analiza nuk përfshin disa burime të rëndësishme të të dhënave, përfshirë databaza të industrisë dhe kuadrot rregullatore të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.


Sipas saj, mënyra e përzgjedhjes dhe paraqitjes së të dhënave mund të krijojë një pasqyrë jo të plotë mbi statusin rregullator të këtyre kimikateve.

Një pjesë e rëndësishme e shqetësimeve lidhet me disa grupe të veçanta kimikatesh që përdoren gjerësisht në plastikë.

Në vitin 2024, një grup studiuesish ndërkombëtarë krijoi PlastChem, një databazë që përmbledh kimikatet e njohura të përdorura në plastikë. Nga rreth 16 mijë kimikate të identifikuara, rreth 4,200 u klasifikuan si shumë të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin, ndërsa për më shumë se 10 mijë nuk kishte të dhëna të disponueshme.

Studiuesit paralajmërojnë gjithashtu se disa prej këtyre kimikateve janë të qëndrueshme në mjedis, mund të grumbullohen në organizëm dhe të përhapen përmes ujit dhe ekosistemeve ujore.

Shkalla e problemit lidhet edhe me rritjen e jashtëzakonshme të prodhimit global të plastikës.

Sipas raportit, në vitin 1950 prodhoheshin rreth 2 milionë tonë plastikë në vit. Sot, prodhimi vjetor ka kaluar në më shumë se 430 milionë tonë.

Shkencëtarët parashikojnë se prodhimi mund të dyfishohet më shumë deri në vitin 2050, duke e shoqëruar këtë rritje edhe me sasi të mëdha të aditivëve kimikë të përdorur në plastikë.

Plastika tashmë është e pranishme në pothuajse çdo aspekt të jetës së përditshme, nga paketimi i ushqimeve, veshjet dhe lodrat, te mobiliet, pajisjet e kuzhinës, artikujt e higjienës dhe pajisjet mjekësore.

Pikërisht kjo përhapje e gjerë e ka kthyer sigurinë e kimikateve plastike në një çështje të rëndësishme të shëndetit publik dhe politikave mjedisore.

Raporti thekson se mungesa e të dhënave për mijëra kimikate mbetet një nga problemet kryesore, duke e bërë të vështirë vlerësimin e plotë të ndikimit që ato mund të kenë në shëndetin e njeriut dhe në mjedis.

Asnjë koment

Comments are closed.