20-04-2024

Suharekë: Dëgjohet mjeku si dëshmitar në rastin ku dy policë “kanë keqtrajtuar” qytetarin

Në cilësi të dëshmitarit në seancën e vazhdimit të shqyrtimit gjyqësor, të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren dega në Suharekë është dëgjuar doktori i Qendrës së Mjekësisë Familjare të Suharekës Salih Bytyqi.

Në pyetjen e parashtruar nga mbrojtësi i të dëmtuarit Baki Shala, avokati Sehad Haliti se “ a mund të na sqaroni konstatimet tuaja që i keni dhënë në raportin mjekësorë”, i njëjti është përgjigjur se “contusijo faciei do të thotë ndrydhje në fytyrë, edema do të thotë ënjtje në pjesë të fytyrës ndërsa escoratio është gërvishje”, ka deklaruar Bytyqi.

Prokurori Musli Gashi ka qëndruar pas propozimit që të dëgjohet si dëshmitarë edhe Sadik Bytyqi, zyrtar policor në Malishevë.

dd

Gjyqtari i çështjes Lavdim Bajraktari ka caktuar seancën e radhës më 24 mars 2021 në ora 9:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Blerim Kuqi dhe Florim Pirku, akuzohen se më 7 mars 2018, në fshatin Mushtisht të Komunës së Suharekës, në një pikë kontrolli, si persona zyrtar të cilët duke e keqpërdorur detyrën zyrtare apo autorizimet e tyre, e keqtrajtojnë, frikësojnë, fyejnë rëndë dinjitetin e personit tjetër, në atë mënyrë që derisa të pandehurit kanë qenë në detyrë, e ndalin të dëmtuarin Baki Shala për shkak të kundërvajtjes në trafik dhe gjatë shqiptimit të kundërvajtjes dhe mosmarrëveshjes që lind gjatë kësaj, i pandehuri Blerim Kuqi e fut dorën në automjet duke ia fikur atë dhe e godet të dëmtuarin me grushta disa herë në fytyrë, ndërsa i pandehuri Florim Pirku futet nga mbrapa në veturë të të dëmtuarit dhe e godet me grushta në kokë dhe fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime, akuzohen se në bashkëkryerje  kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 198 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KP-së. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.