23-11-2024

Suharekës s’i mjafton ndihma e qeverisë për dëmet nga vërshimet, e ndihmojnë bizneset private

Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka deklaruar se punimet e nisura në terren për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara janë në përfundim.

“Komisionet janë duke punuar në terren, janë para përfundimit, domethënë vlerësimin e dëmeve sa i përket amvisërisë. Besoj që shumë shpejt, në bashkëpunim me partitë politike, me komisionet që kemi, do të vazhdojmë t’i paguajmë dëmet që janë krijuar në komunën tonë”, ka thënë Muharremaj.

Duke vënë në rend të parë interesin e qytetarëve, ai ka thënë se me të gjitha mjetet ekzistuese fillimisht do t’i trajtojnë rastet më urgjente pastaj do të vazhdojnë me dëmet e tjera.

“Dëmet në amvisëri janë llogaritë që kanë qenë mbi 2.6 milionë euro, dëmet në biznese, dëmet në bujqësi edhe dëmet në infrastrukturë. Mirëpo me këto mjete që i kemi, besoj që do t’i kryejmë rastet më urgjente që kanë qenë në komunën tonë dhe do të vazhdojmë me sanimin e rrugëve dhe t’i përkrahim edhe bizneset edhe pjesët e amvisërisë që kanë qenë të dëmtuara nga dëmet”.

Megjithatë, Muharremaj, është shprehur se mjetet e ofruara nga Qeveria, nuk janë të mjaftueshme, por theksoi se do të bëjnë kërkesë shtesë në buxhetin e vitit 2019 të qeverisë, për ndihma të tjera financiare.

Ai bëri të ditur se do të ketë kompensime materiale për qytetarët e prekur nga vërshimet, sa më shpejt, për shkak të fillimit të stinës së dimrit.

“Ne e kemi marrë për obligim, së pari jam dakordu me Qeverinë, që t’i kryejmë dëmet në amvisëri dhe jemi dakordu me drejtorin regjional të ATK-së që i kam thënë firmave që të bëjnë kërkesë zyrtare që kemi formu një komision, është drejtoria speciale që ka dalë ta bëjë vlerësimin e dëmeve. Njashtu i kemi edhe dëmet në bujqësi, ku i kemi pesë ekspertë që kanë dalë dhe i kanë vlerësu dëmet, por në rend të parë i çojmë tek amvisëria, të përgatitemi për dimër, pastaj këto të tjerat, ku mundemi me mbërri, sa mundemi me mbërri, kemi me iu dalë në ndihmë qytetarëve.

Pas deklaratës së mëhershme të kryetarit, se edhe uji i pijshëm është ndotur pas vërshimeve, ai ka bërë të ditur se kanë mbetur edhe disa fshatra ku nuk po mund të shfrytëzohet uji për t’u pirë dhe ka apeluar që të mos shfrytëzohet deri në rregullimin e këtij problemi.

“Ne marrim çdo tri ditë raporte prej entit të shëndetësisë që është në Prizren, në bashkëpunim me drejtorin e shëndetësisë, momentalisht kemi problem vetëm me ujë të pijshëm në dy-tri fshatra, ku kam kërkuar dje detajisht analiza të sakta. Mirëpo ne apelojmë në ato vende ku nuk mund të përdoret uji, u thtemi që mos e përdorni ujin dhe le ta përdorin ujin e valuar. Kemi kësi raste ende, domethënë nuk është bërë komplet dezinfektimi i ujit të pijes”, ka thënë kryetari i komunës së Suharekës.

Kryetari Muharremaj ka falënderuar bizneset dhe kryetarin e bizneseve, Shaqir Palushin, të cilët, sipas tij, kanë qenë një krah i fortë i mbështetjes për qytetarët e Suharekës.

“Duhet të falënderojmë edhe bizneset, ku edhe kryetari i shoqatës së bizneseve, Shaqir Palushi, është duke u marrë dhe ai do të marrë pjesë në meremetimin e disa shtëpive në komunën tonë. Është fond i veçantë, por me këtë punë janë marrë shoqata të bizneseve. Domethënë i kemi ndarë detyrat, kush çka ka me kry”.

Shaqir Palushi tregon për Ekonomia Online se bizneset iu janë përgjigjur shumë shpejt thirrjes për ndihmë të qyetarëve të Suharekës.

“Ndër kompanitë të cilat kanë përkrahë më shumë është Klubi i Prodhuesve të Kosovës, Devolli Group, Graniti, DekorFix, Jaha Group, Relux, dhe shumë kompani e individë të tjerë. Shumë prej kompanive janë prodhues të produkteve ndërtimore, të cilat edhe kanë ofruar material dhe vlera e tërësishme e atyre mjeteve e kalon shifrën 50 mijë euro”, ka thënë Palushi.

Ai shton se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asnjëherë mjaftueshëm për bizneset kosovare dhe se agjenda politike e pengon biznesin nëKosovë.

“Nuk mendoj që Qeveria ka bërë mjaftueshëm, për më tepër ajo është vonuar edhe atë shumë vite, dhe pasojat e kësaj vonese të saj, është edhe ky debalancë ekonomik, ku dihet që importi dhe eksporti janë me shifra shumë larg njëra-tjetrës. Ajo që mund të them është që, çka e pengon biznesin në Kosovë përgjithësisht është agjenda politike e cila në njëfarë mënyre e largon vëmendjen në radhë të parë të investitorëve të huaj.

Ndërsa shpreson se liberalizimi i vizave do të jetë mundësi e madhe për eksport.

Asnjë koment

Comments are closed.