26-04-2024

Masar Shala, zëri që po i mungon Kuvendit Komunal të Prizrenit

Sot u mbushën 4 vjet, kur veprimtari Masar Shala shkoi në jetën e përjetshme. Besojmë se atje u prit nga bashkëveprimtarët, të cilët shkuan në amshim para tij.

Në vitet ’90, Masari ishte aktiv në Parlamenti Rinor, Partinë Parlamentare e KLMDLNJ. Gjithashtu kontribuoi edhe në aksionin e faljes së gjaqeve, shoqatën “Nëna Terezë”, Këshillin për Emergjencë dhe veprimtari të tjera të kohës, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Ishte njeri me integritet, parime dhe ndjenjë të lartë të përgjegjësisë. Veprimtaria e tij ishte bindje dhe përcaktim për lirinë e vendit. Bashkëveproi me shumë veprimtarë, ndër ta edhe me Remzi Ademajn e Xhevat Berishën (tash Heronj të Kosovës), si dhe me Ismail Kryeziun (Dëshmor i Kombit).

Në veprimtarinë e tij patriotike,  pjesë e aktiviteteve ishin edhe anëtarët e familjes së tij.  Masari vlerësohet si mbrojtës i guximshëm dhe i përkushtuar i të drejtave të njeriut, puna e të cilit ka kontribuar në senziblizimin e opinionit ndërkombëtar, për dhunën dhe krimet ndaj popullatës shqiptare në Prizren. Ishte nënkryetar i KMDLNJ-së në Prizren nga viti 1991 – 99.

Nga 9 korriku 1998 e në vazhdimësi gjer në çlirimin e vendit, kreu detyra për UÇK-në. Në qershor 1999, në një tubim në Stadiumin e Qytetit, nga strukturat e UÇK-së nderohet me Mirënjohje, në shenjë vlerësimi të kontributit të pamohueshëm në luftë.

Nga 15 qershori 1999 ishte pjesë e Qeverisë së Përkohshme Komunale në Prizren, i caktuar në detyrën e drejtorit të Drejtorisë për Planifikim, Rindërtim dhe Zhvillim. Mbi supet e tij bie drejtimi i normalizimit të gjendjes në fazën emergjente të pasluftës. Rifillimi i punëve në sektorët vital, ndihmat në ushqime, kthimi i organizuar i popullatës, strehimi dhe rindërtimi i shtëpive ishin prioritet në këtë kohë.

Ishte i zgjedhur si anëtar i Kuvendit të Komunës, në të gjitha legjislaturat e pasluftës. Besimin e qytetarëve e përdori për të shërbyer në funksion të interesit të përgjithshëm të qytetarëve. Nuk ishte peng i ngjyrave partiake, nuk i devijoi parimet. U angazhua për praktika të avancuara në punën e Kuvendit dhe të Ekzekutivit komunal. Kontribuoi në efikasitetin e institucioneve publike që të jenë më të përgjegjshme dhe të sigurohet respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut. Po ashtu është angazhuar për realizmin e shumë projekteve në të mirë të komunitetit.

Rezultate imazhesh për masar Shala

Ishte ideator dhe kontribuues për ngritjen e Monumentit të Paqes, kushtuar Trupave të NATO-së në Prizren, i cili shpreh falënderimet e popullit, për Aleancën Veriatlantike. U zgjodh kuvendari më i angazhuar në Kuvendin e Komunës.

Zëri i Masarit po i mungon Kuvendit.

Kontribut konkret dha edhe në funksionimin e klubit futbollistik Liria, ku ishte kryetar.

Kuvendi i Komunës së Prizrenit, në shenjë të vlerësimit të veprës së tij, vendosi që një rrugë në qytet dhe Çmimi për Demokraci i Komunës, të mbajnë emrin e Masar Shalës.

Anëtarët e redaksisë së portalit “Gazeta e Prizrenit” patën privilegjin që në kohë të ndryshme të bashkëpunojnë me të, gjithmonë në një frymë të respektit të ndërsjellë, të cilën sinqerisht e vlerësojnë. /GazetaePrizrenit.net/

Rezultate imazhesh për masar Shala

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.