Sulmohen gazetarët në veri, reagon Asociacioni i Gazetarëve
Qytetarët kanë sulmuar gazetarët dhe kameramanët në Mitrovicën e Veriut pas aksionit të Policisë atje.
Për sulmet ndaj tyre ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Reagimi i plotë:
Gazetarët shqiptarë e serbë sulmohen në veri
AGK-ja shpreh shqetësim për ambientin e rëndë dhe të pasigurt të punës për gazetarët gjatë ditës së sotme në komunat veriore të Kosovës.
Sipas raporteve, janë sulmuar disa gazetarë të mediave të ndryshme shqiptare në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut dhe një tjetër incident ka ndodhur rrugës për në Leposaviq ku protestuesit kanë ndjekur nga pas veturat me gazetarë.
Ndërkohë, sulme dhe presione ka pasur edhe ndaj gazetarëve të portalit lokal “Kossev”, nga protestuesit. Si pasojë, redaksia i ka tërhequr ekipet e saj nga terreni.
AGK-ja fton Policinë e Kosovës që të ofrojë siguri për gazetarët që të kryejnë punën e tyre në formë të papenguar.