24-11-2024

Ta braktisësh apo jo Facebook-un? Kjo është çështja!

Monika Shoshori Stafa

Facebook hyri si një mënyrë ku mund të lehtësoheshin raportet sociale mes një bote të trazuar në vlera dhe krizë ekonomike. Website i tij u lansua aty në fillim të muajit shkurt në vitin 2004, prej një grupi studentësh harvardianë, fillimisht si një rrjet social mes studentëve të Harvardit dhe më pas duke e zgjeruar atë, me institucione dhe kolegje të tjera arsimore në SHBA. Derisa pas 2006-ës erdhi dhe u bë aq popullor në të gjithë botën.

Por, shkrimi në fakt nuk ka të bëjë me krenarinë që na duhet të kemi për këtë fazë në të cilin ai gjendet. Shumë prej nesh duan ta zhbëjnë duke e braktisur, të tjerë e kanë kthyer në marketing të paparë parash dhe disa po ia ndjejnë kënaqësinë duke pozuar ngjarje të vogla nga jeta e përditshme, aspak të “shijshme” për t’u parë nga miqtë. Por, edhe ky vlerësim i imi, sipas studiuesve të huaj, konsiderohet skeptik. Bota sot njeh raporte tjera nga ato që na mësuan klasikët e mëdhenj. Vetëm disa javë më parë është arritur një zbulim mbi qasjen e komunikuesve të rrjeteve sociale dhe se si kërcënohen të dhënat e tyre personale nëpërmjet Facebook-ut.

Ekspertët tregojnë se një agjenci konsultimesh, me emrin “Cambridge Analytica” kish mundur të hynte dhe të investigonte në të dhënat e më shumë se 50 milionë përdoruesve të Facebook-ut, duke ndihmuar në hartimin e një strategjie të re komunikimi nga zyrat e shtypit të kandidatit për president, Donald Trump në vitin 2016, që shkonte në favor të tij dhe procesit që ndodhi me britanikët, Brexit mbi shkëputjen e Britanisë prej anëtarësimit në BE dhe rezultatit që ai prodhoi. Ndaj kjo është arsyeja që sot e vazhdimisht kritikët e Facebook-ut dhe përdoruesit e tij mendojnë se ky lloj kontrolli që ushtrohet në një formë të sofistikuar ndalet vetëm atëherë, nëse shoqëria distancohet nga ky rrjet social. Po t’i hedhësh një sy shtypit online, sigurisht gjen plot histori që rrëfejnë një tejngopje të publikut me marrëzitë që Facebook servir nga koha në kohë. Por, edhe pse përdoruesit e tij thonë se ka ardhur koha për të #deletefacebook, sërish duket se për gazetarët, mbyllja e Facebook-ut mbetet një zgjedhje e vështirë.

Kur ai u ekspozua atë kohë të largët, i strukturuar në atë formë që u shfaq, studiuesit ishin në dijeni të asaj që do të ndodhte, të asaj që sot njerëzit kudo e mendojnë dhe e pohojnë se janë thellësisht të shqetësuar për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale në mediat sociale. Gjatë ditës, me mendje të lirë e themi gjithmonë se nuk do të ishte shumë e vështirë për ne që një ditë ta braktisim atë, qoftë dhe nga ekspozimi i një jete të gënjeshtërt që ai e lejon. Por pastaj vazhdojmë t’i përdorim (mediat sociale) duke e gjithëditur madje, megjithëse ato vazhdojnë ta kërcënojnë thellësisht privatësinë tonë. Por sido të jetë, edhe prej të dhënave të anketës, por dhe kërkimeve shkencore, me gjithë pasojat që prej skandalit që “Cambridge Analytica” shkaktoi, Facebook mbetet një rrjet social me një fuqi të qëndrueshme. Dhe kjo është dominuese, sepse u ofron përdoruesve përfitime reale, shpjegon një eksperte për komunikimin në Harvard College dhe padyshim njerëzit që e përdorin atë, i kanë barazpeshuar mirë raportet mes fitimit dhe rreziqeve. Sipas tyre, megjithëse jo hapur, përfitimet prej tyre janë shumë herë më të mëdha se rreziqet.

Amerikanët janë padyshim të vetëdijshëm për çështjen e fshehtësisë së të dhënave personale që lidhet me median sociale dhe reklamat. Po aq sensitiv sa më s’bëhet. Një studim i kryer nga Qendra Kërkimore “Peë në Uashington D.C”., në vitin 2014, zbuloi se 91 për qind e të rriturve mendonin se konsumatorët kishin humbur kontrollin se si kompanitë (të gjitha kompanitë, jo vetëm ato teknologjike) grumbullonin dhe ruanin informacion për ta. Ndërkohë, e njëjta anketë tregoi se 64 për qind e përdoruesve të internetit ushtronin presion për rregulla më të forta për kompanitë që merreshin me reklama. Në fakt, edhe shumë kohë para se Cambridge Analytica të bënte atë kërkim për llogari të disa superpushteteve që do sillnin figura si D. Trump në fuqi, amerikanët shfaqeshin po aq mosbesues ndaj mediave sociale dhe reklamave online.

Prej anketimeve është parë qartë se që nga viti 2014, përdorimi i mediave sociale nga amerikanët ka vazhduar të rritet dhe thuajse 70 për qind e të rriturve në kontinentin përtej oqeanit tani përdorin Facebook. Studime të shumta kanë provuar se ka pasur gjithmonë një hije dyshimi midis asaj që deklarohet dhe asaj që veprohet, sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale. Shpeshherë këto media pohojnë se e çmojnë si shumë të rëndësishme mbrojtjen e këtyre të dhënave, por në të vërtetë ajo që ndodh është krejt ndryshe. P.sh. një studim i vitit 2012 zbuloi se 95 për qind e një grupi njerëzish raportuan se ishin të interesuar në mbrojtjen e informacionit të tyre privat. Nga ana tjetër, po i njëjti grup thoshte gjithashtu se ishte tepër i gatshëm të bënte pazar në një dyqan, që u kërkonte atyre të jepnin informacion mbi të ardhurat dhe datën e lindjes, mjafton që kjo gjë do t’i bënte ata të kursenin qoftë dhe një euro të vetme.

Që këndej lind pyetja, atëherë çfarë i bën mediat sociale të jenë kaq ngashënjyese, edhe pse e dimë se janë po aq të rrezikshme? Përgjigja, ndoshta jo aq befasuese, shpjegon një ekspert i marketingut, qëndron në faktin e tërheqjes së individit me atë pjesën sociale që rrjetet ofrojnë, pra tërheqjen që individi ka ndaj jetës shoqërore. Mediat sociale dhe veçanërisht Facebook janë bërë vendi ku jetët tona shoqërore ndërveprojnë. 67 për qind e amerikanëve në një anketë më të fundit bërë nga një organizatë mediale, thotë se komunikimi në internet forcon marrëdhëniet mes njëri-tjetrit, krahasuar me vetëm 18 për qind të tyre, që pohojnë se në të vërtetë interneti këto raporte i dobëson. Nëse nuk je në Facebook, sipas shumicës së përmendur më lart, jeni duke humbur pjesë të rëndësishme të jetës së shokëve tuaj, deri ndoshta miqtë tuaj në tërësi, nëse jetojnë larg jush. Edhe pse jo të gjitha eksperiencat tona në këto rrjete janë të mira, shumë prej nesh raportojnë histori të gëzueshme më shumë sesa armiqësore. Është thuajse e njëjtë me atë se sa shpesh ne shohim njerëzit aty, tek ndihmojnë njëri-tjetrin, më shumë se sa të duan ta braktisin grupin e tyre social. Kjo lidhet me atë që shkencëtarët e quajnë “ndërgjegjësimi mjedisor”; teoria që besohet se të kesh akses informacioni në pjesë të vogla dhe të dukshme rreth jetës së një personi, mund të krijojë lidhje të forta shoqërore me të.

Dhe, kjo psikologjikisht na bën të ndihemi më të lidhur dhe më të lumtur. Kjo është dhe arsyeja përse njerëzit përdorin mediat sociale; pikërisht lidhjet sociale që ata krijojnë mes tyre. Ata qëndrojnë në kontakt me anëtarët e familjes dhe miqtë jashtë apo brenda vendit, të cilët jo domosdoshmërish jetojnë pranë teje. Këto sjellin efekte reale, thonë ekspertët dhe jo vetëm një ndikim i perceptuar që mund të manipulohet. Që këtej kuptohet se nëse nuk hiqni dorë nga Facebook, nuk ka më dilemë. Me sa duket, secili prej nesh ka baraspeshuar mirë se përfitimet tona i tejkalojnë rreziqet që ai mund të na sjellë. Ruajtja e marrëdhënieve me të afërmit më të largët dhe miqtë e shkollës apo universitetit janë shumë më të vlefshme për ne. Megjithatë, kjo nuk është një arsye që të mos shqetësohemi për privatësinë tonë në Facebook apo në media të tjera sociale. Është më tepër se aq.

Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se kur përpiqesh të mbash një qëndrim kundër tij, do të duhet të ballafaqohesh me faktin se me të vërtetë ai ka diçka të dobishme dhe se zgjedhja për t’u larguar, do të thotë më shumë sesa thjesht largimi nga një kompani apo nga një vend ku mund të bëjmë selfi. Profesorët e shkencave të komunikimit në Harvard College, ndër të tjera shtojnë edhe diçka që duhet konsideruar i drejtë. Në këtë botë të globalizuar kur kontinentet ngjajnë me një fshat të madh, nuk është se të braktisësh Facebook-un është një diçka që na mbron prej grabitjes së të dhënave personale me apo pa lejen tuaj. Facebook është vërtet një lojtar i madh në mbledhjen dhe shitjen e të dhënave tona personale, por duhet pranuar edhe një gjë, ai është gjithashtu një nga shumë njësi të tilla që bëjnë këtë gjë në një treg kaq të madh dhe të hapur. Vetëm po të mendohet se si i lëvizim ne kartat tona bankare për llogari të blerjeve të ndryshme që nga dyqanet e ushqimoreve e deri tek pishinat që ofrojnë acquagym, kuptohet se sa të pasigurt jemi ne nga kjo histori. Këto grupe të dhënash mund të referohen tërësisht dhe të krahasohen me adresat tona për të mësuar gjithçka rreth nesh, familjes sonë apo dhe miqve në mënyra të ngjashme me atë çka ndodh në mediat sociale.

Gjithçka shihet e dëgjohet është veçse një iluzion mbi sigurinë që ka kjo botë sot. Duket sikur sa zbresim nga një vend në tjetrin, mund të zgjedhim prej opsioneve që përftohen. Por nuk ndodh kështu. Tjetër është e vërteta. Problemi qëndron në faktin se pikërisht ky iluzion mbi sigurinë në mbrojtjen e të dhënave tona personale, mbetet një iluzion kudo ku shkelim. Botë e brishtë!

Komentet

Komento