“Despacito” dhe këngët tjera kthehen në YouTube

Disa videoklipe muzikore të martën janë fshirë nga YouTube pas një sulmi hakerësh.

“Despacito” është klipi me më së shumti shikime në histori të shërbimit të shpërndarjes së videove (mbi pesë miliardë) dhe mosprezenca e kësaj videoje në YouTube bëri bujë të madhe në media dhe në rrjetet sociale.

Mirëpo, mungesa nuk ka zgjatur shumë dhe videoklipi i bashkëpunimit ndërmjet Luis Fonsi dhe Daddy Yankee është kthyer sërish.

Drake, Taylor Swift, Chris Brown, Selena Gomez, Post Malone e Shakira – janë disa prej artistëve të tjerë (këngët e të cilëve ishin publikuar nga kompania e shpërndarjes së videove, Vevo) që kanë rënë pre e sulmit të hakerëve.

“Vevo mund të konfirmojë se disa video në katalogun tonë, sot (e martë) kanë qenë shënjestër e thyerjes së sigurisë”.

“Jemi duke u përpjekur që t’i rivendosim të gjitha videot e prekura, në mënyrë që katalogu ynë të rikthehet në funksionim të plotë”.

Videot nuk janë ndryshuar, por hakerët – të paraqitur si Prosox dhe Kuroi’sh – i kanë vënë emrat e tyre nën disa prej klipeve.

“Është vetëm për argëtim thjesht e kam përdorur ‘youtube-change-title-video‘ dhe kam shkruar ‘hacked‘. Mos më gjykoni, më pëlqen YouTube”, ka shkruar përdoruesi i Twitterit me emrin ProsoxW3b, i cili është paraqitur si njëri prej hakerëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *