25-04-2024

Tahir Hoxha, profesori që ia kushtoi jetën teknologjisë informative

U bë një javë nga kalimi në amshim i profesorit të Informatikës dhe inovacionit, poetit, aktivistit të palodhur dhe njeriut të mirë, Tahir Hoxha nga Prizreni.

Në rininë e hershme, Tahiri u përkushtua ndaj fushës së kompjuterit, atëkohë kur jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë në vendet e rajonit ishin fillet e para të kibernetikës, që tashmë ka marrë përmasa të gjëra, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Ishte në grupin e parë të vijuesve për arsimim nga Teknologjia Informative (TI),  të organizuar nga Instituti i Teknologjisë në Zagreb, duke vazhduar më tej zgjerimin e njohurive në mënyrë të pavarur e me sukses. Nga viti 1990 nisi mbajtjen e kurseve të para nga kjo fushë për të interesuarit në Prizren, që pati zgjuar interesim për vijim nga të dy gjinitë dhe grupmosha të ndryshme, duke vazhduar kështu deri në fillimin e luftës në Kosovë.

Pas luftës, ai vijon me organizimin e trajnimeve për informatikë dhe të dizajnit grafik, por njëkohësisht duke i ndjekur edhe studimet. Arriti të përfundojë fakultetin e Ekonomisë, duke vazhduar më pas punën si profesor i Informatikës dhe Inovacionit në Qendrën e Trajnimeve të Universitetit Amerikan në Kosovë. Gjatë jetës së tij, ai ka kryer shumë punë inovative të TI-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, institucione shkollore, MASHT dhe Universitetet e Kosovës.

Ai është dalluar për programin e notimit elektronik të nxënësve dhe studentëve.Veprimtarinë e tij e vazhdoi deri në fund të jetës si profesor, trajner e bashkëpunëtor i projekteve të shumta. Për disa vite ka qenë i angazhuar në zyrën e TI-së së kompanisë ”Mabetex” në shtete të Lindjes së Mesme. Përveç kësaj, vite me radhë ka punuar në dizajn grafik. Qindra libra të autorëve të ndryshëm mbajnë emrin e Tahir Hoxhës, si redaktor teknik.

Open Photo

Karakteri, zgjuarsia dhe zemërgjerësia bëri që Tahiri të ishte i afërt me të gjithë, vlerësojnë bashkëpunëtorët e miqtë e tij të shumtë, përcjell portali “Gazeta e Prizrenit”.

Mjeku i mirënjohur prizrenas, Prof. Dr. Selami Sylejmani kujton se Tahiri ka kontribuar shumë në përgatitjen e materialit fotografik në përkujtimin e Martirëve të Masakrës së “Tususit”, pastaj në përgatitjen teknike të librit të tij mbi Sëmundjet e Gjirit, si dhe ka qenë udhëheqës ekspert i TI-së i të gjitha takimeve profesionale shkencore gjatë periudhës sa ky ishte kryetar i Shoqatës së Kosovës për Aplikimin e Ultratingullit në Mjekësi, nga viti 2002-2007, të cilat u mbajtën në Prizren, dhe në fund edhe në përgatitjen teknike si ekspert i TI-së të Kongresit të Shoqatës së Kosovës për Aplikimin e Ultratingullit në Mjekësi “KOSOVASON 2007” që u mbajt në Prizren me pjesëmarrje të mbi 700 pjesëmarrësve nga Kosova dhe shumë vende të botës.

Ai ka përgatitur teknikisht shumë punime shkencore, të cilat janë prezantuar në aktivitete të ndryshme shkencore në Kosovë dhe jashtë saj, dhe ishte edhe pjesëmarrës i Konferencës shkencore pakistanezo-kosovare “PAK-KOSOVA” International Conference në Lahore të Pakistanit, ku merrnin pjesë rreth 500 pjesëmarrës nga të gjitha kontinentet.

Duke kujtuar kontributin, Dr. Selamiu, thotë se Tahiri pos si ekspert i kompjuteristikës me punën e vet është bërë i pavdekshëm edhe për atë se ishte  i palodhshëm. “Ishte i edukuar, i urtë dhe me plot kuptimin e fjalës, pedagog! Personalitete si Tahir Hoxha, lindin një herë, ndërsa nuk vdesin!”, shprehet ai.

Open Photo

Poeti nga Rahoveci, Fahredin Shehu, derisa shpreh dhembje për ikjen kaq të shpejtë të shokut të mirë, shprehet se Prizreni nuk do të jetë më i njëjtë pa Tahirin,  të palodhurin e përkushtuarin, që ia bënte librat të veçantë “Aq bukur, aq me zell”.

Profesori e gazetari, Qazim Morina nuk e harron asnjëherë ndihmën e Tahirit për përgatitjen gratis të temës së Diplomës në Fakultet, që kishte mahnitur profesorët e nderuar të Filologjikut, pasi atëherë zakonisht temat shkruheshin me makinë shkrimi.

“Në rrethanat e vështira të asaj kohe, në vjeshtë të vitit 1996 si student, Tahirit me të cilin njihesha i tregova që kam filluar ta punoj temën e Diplomës. Ai e porositi daktilografen që ta bartte materialin në kompjuter, ndërsa vetë me pedanteri e bëri përgatitjen teknike, fontin, theksimin titujve, të shembujve, etj.  Forma e punimit e pati befasuar komisionin për mbrojtjen e temës, prirë nga kryetari  Mr. Isa Bajçinca, ndërsa Prof. Dr. Sala Ahmetaj, si anëtare më kërkoi t’i bëja edhe tri fotokopje për t’i pasur si model”, kujton ai, duke thënë se Tahiri  këtë punë e kishte bërë pa shpërblim, duke deklaruar se e gëzonte fakti që edhe një nga shokët po gradohej (bëhej) profesor.

Tahiri dha një kontribut mbresëlënës edhe për revistat, të cilat botoheshin para luftës në Prizren, duke i kushtuar kujdes meritor përgatitjes grafike, në mënyrë që ato të ishin sa më atraktive.

Po ashtu kontribuoi edhe ndaj individëve, veprimtarëve dhe institucioneve të pavarura të kohës, ku vullnetarisht kryente një numër të madh punësh nga lëmi i tij. Gjatë kohës së luftës kreu detyra edhe për nevojat e UÇK-së.

Veprimtari Bashkim Gashi, shpreh admirim për kontributin në shumë pore, që nga një pionier i TI-së, deri te një i pasionuar ndaj poezisë dhe fotografisë.

Open Photo

Tahiri ishte kontribuues i rregullt edhe në jetën kulturore të qytetit. Pos botimeve të përbashkëta,  poezitë e tij u botuan edhe në vëllime të veçanta. Për disa vite organizoi në Prizren, ekspozitën e fotografive artistike me titull “Pika”.

Tahir Hoxha, ka qenë bashkëpunëtor dhe koleg i shkëlqyer, prandaj do të mbetet si udhërrëfyes për gjeneratat e reja, se si duhet jetuar e punuar me nder!

Në përkujtim të veprës së tij, propozojmë që Drejtoria e Arsimit në Prizren ta themelojë çmimin “Tahir Hoxha”, që do të ndahet çdo vit për nxënës të dalluar në fushën e TI-së. /GazetaePrizrenit.net

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe ambiente të brendshme

 

Asnjë koment

Comments are closed.