19-04-2024

Të dhëna kontraverse mes organizatës “FEMaktiv” dhe policisë rreth sigurisë së femrave në Prizren

Protesta e një grupi të grave në Prizren, mbajtur nga organizata “FEMaktiv” në Marash, të dielën  dha një sinjal sa i përket sigurisë në Prizren, por përkundër mungesës së një deklarimi zyrtar nga organet e rendit, shifrat zyrtare të policisë, flasin të kundërtën e asaj që thuhet, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Në protestë u ngrit zëri kundër ngacmimeve seksuale të femrave. Kjo ndodhi në Marashin e Vjetër, aty ku u tha se para disa ditësh,  është tentuar të përdhunohej një femër.

Këtu është paraqitur edhe një raport rreth sigurisë së grave në Prizren, në të cilin del që 70 % e grave nuk ndihen të sigurta në hapësira publike, ndërsa 76 % prej tyre janë ngacmuar gjatë shfrytëzimit të këtyre hapësirave.

Nëse kemi një situatë të tillë atëherë është një sinjal i keq për sigurinë në qytetin e dytë për nga madhësia, pas kryeqendrës, për të cilin shpesh është raportuar si qytet “i disiplinuar”.

Paraqitja e një pasqyre të tillë, do ta ndërroj imazhin e mirë të Prizrenit jo vetëm në sytë e vendorëve, por për më keq edhe tek ndërkombëtarët. Kjo situatë pa dyshim do të reflektohet edhe tek turistët e huaj, që nuk janë të paktë në Prizren, duke sjellë edhe të hyra financiare.

Përkundër prezantimeve të shifrave të tilla, madje edhe të një proteste, ende nuk ka ndonjë deklarim zyrtar të institucioneve të sigurisë në Prizren.

Megjithatë, në këtë kontekst të dhënat zyrtare të policisë rajonale flasin për një situatë tjetër. Gjatë vitit 2017, nuk ka pasur asnjë rast të ngacmimit seksual ndaj femrave, të raportuar në policinë e rajonit të Prizrenit.

Këtë vit ndërkaq,  është vetëm një rast i raportuar, ndaj një shtetase të huaj, nga Taivani në pjesën e Marashit.

Njëri nga zyrtarët për media,  pranë policisë rajonale në Prizren, Hazir Berisha ka thënë për “GazetaePrizrenit.net” se sipas asaj që është prezantuar në raporte hetimore del se në këtë rast më tepër kemi të bëjmë me përfitim material, për marrjen e telefonit të viktimës.

Në këtë rast,  tjera janë të dhënat e policisë, e të tjera janë ato të organizatës “FEMaktiv”, në të cilat del që 70 % e grave nuk ndihen të sigurta në hapësira publike.

Në këtë rast duhet një analizë dhe shtrohet një pyetje që do sqarim, se ku dhe nga kush janë bërë  këto sondazhe të sigurisë, e si janë nxjerrë të dhënat?

Dëshmitarë të një gjendjeje të sigurisë në pjesën e Marashit mund të jetë edhe shumë prizrenas, përfshirë edhe femra, që këtë lokacion të qytetit tashmë e shfrytëzojnë për ecje./GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.