Të enjten, ushtarët gjermanë të KFOR-it ndahen nga Prizreni me një ceremoni festive
Pas një qëndrimi prej gati dy dekadash në Prizren, 4 tetori, festa e bashkimit të Gjermanisë, do të shënojë largimin zyrtar të ushtarëve gjermanë të KFOR-it nga Prizreni. Për t’u përshëndetur me qytetarët në qendrën e qytetit, në sheshin “Shatërvan”, do të organizohet një parakalim lamtumirës nga Bundesweri, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Kontingjenti i 50-të gjerman i KFOR-it po bënë përgatitjet e fundit për largim nga Prizreni. Komandanti i tij, nënkolonel Eric Offermann, ka bërë të ditur se të enjten, me 4 tetor në festën kombëtare të Gjermanisë, ushtarët në mënyrë ceremoniale do të përshëndeten me qytetarët. “Do të kemi një parakalim në “shatërvan”. Kjo do të jetë hera e fundit kur ushtarët gjermanë në numrin më të madh, do të jenë në qendrën e Prizrenit”, ka thënë ai. Ceremonia është paraparë të organizohet pasdite.
Nënkoloneli Offermann, ka thënë se përkundër largimit të ushtarëve nga Prizreni, Gjermania përmes “Parkut të Inovacionit”, edhe më tej do ta vazhdojë kontributin e saj për zhvillimin e rajonit të Prizrenit.
“Ne Bundesweri, e kujtojmë e kujtojmë me kënaqësi qëndrimin tonë në Prizren. Ndihemi krenarë mbi të arriturat të cilat i realizuam bashkë me banorët, e kësaj treve. Jemi mirënjohës për mbështetjen tuaj të mrekullueshme gjatë gjithë këtyre viteve. Andaj edhe tërhiqemi pa dëshirë nga Prizreni, mirëpo me bindje se misioni ynë ushtarake është përmbushur plotësisht”, ka thënë ai.
Offermann ka thënë se qyteti i Prizrenit shumë ushtarëve gjermanë do t’u mbetet gjithmonë në kujtimet më të mira.
Pjesëtarët gjermanë të KFOR-it kanë dhënë një kontribut të çmueshëm në rajonin e Prizrenit, jo vetëm në kontekstin e sigurisë, pas largimit të forcave serbe, por ata kanë ndihmuar edhe në krijimin e kushteve për kthimin e popullatës së shpërngulur në Shqipëri dhe gjetiu, si pasojë e luftës. Kontributi i tyre nuk harrohet edhe sa i përket ndihmës në strehim, ushqim dhe ofrimin e ndihmës mjekësore, gjatë fazës emergjente dhënë popullatës së këtushme.
Për prizrenasit, largimi i KFOR-it gjerman përbën një lajm të pakëndshëm, por edhe të gëzuar, shkruan “GazetaePrizrenit.net”. Deputeti Haxhi Avdyli nga LDK, ka thënë se në njërën anë kujtohet ndihma e madhe e ushtarëve gjermanë, e në tjetrën është gëzim, pasi largimi i tyre tregon përparimin e bërë në Kosovë dhe tashmë fokusimin në zhvillimin ekonomik të saj.
Kampi i deritashëm i KFOR-it gjerman është planifikuar që më tutje të shfrytëzohet si „Park inovacioni dhe trajnimi“. Organizata “GIZ” është angazhuar nga Ministria Federale e Gjermanisë për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, për studimin e fizibilitetit të Kampusit të deritanishëm të KFOR-it, ndërsa në Parkun për Inovacione dhe Trajnim do të përfshihen pesë fusha të ndryshme në: teknologjinë informative; bujqësinë,ushqimin dhe agropërpunimin; industrinë kreative; turizmin; arsimin, shkencën dhe hulumtimin.
Kampi fushor i KFOR-it posedon 23 ndërtesa me 550 dhoma me kapacitet për banim për rreth 1200 persona.
Bundesweri mbetet edhe më tutje i angazhuar në kuadër të KFOR-it. Në një njoftim, thuhet se në vitin 2019, në Prishtinë do të jenë të stacionuar rreth 70 ushtarë gjerman. Kështu Gjermania, do të mbetet e pandryshuar në listën e 10 vendeve me praninë më të madhe të ushtarëve në kuadër të KFOR-it, ndërsa në qendrën e vëmendjes së saj do të jetë avancimi i mëtejmë i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). /GazetaePrizrenit.net/
P.S
Në ballinë të faqes, foto nga hyrja e ushtarëve gjermanë në Prizren, në vitin 1999.