Të martën shpallet vendimi për rastin “Abi Çarshia” të Prizrenit, ky është dëmi që pretendon kompania
Në fillim të javës që vjen, në Gjykatën Themelore të Prizrenit pritet shpallja e Aktgjykimit ndaj disa ish-zyrtarëve komunal të Prizrenit për rastin e rrënimit të aneks objektit të “Abi Çarshia” Sh.p.k, në Prizren.
Me 19 korrik 2019, jo vetëm këtu, por për shkak të imazhit të krijuar në vend, e më gjerë nga kompleksi afarist, vëmendja e opinionit u përqendrua në Prizren, ku Komuna kishte filluar aksionin për rrënimin e një aneksi. Për ta parë ngjarjen nga afër ishin edhe disa zyrtarë komunal, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Disa qytetarë aksionin e shihnin për qëllime publiciteti, pasi përkundër pretendimeve për ligjshmëri, ky veprim ishte marrë në kohën e pikut, atëherë kur ishin kthyer mërgimtarët dhe se ishte tejet i madh numri i vizitorëve, në kompleksin me shumë të punësuar.
Prokuroria Themelore në Prizren, në fund të vitit 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqit, Jetmire Venezit, Egzonë Morina-Thaqit, Arian Tarakut dhe Isë Bislimajt, të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzën ndaj tyre, thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SH.P.K në Prizren.
Vlera e dëmit që pretendohet se i është shkaktuar kompanisë, është në vlerë prej 69,729.66 euro. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën e Prizrenit edhe përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokati Taulant Hodaj.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim. Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.
Kryetarja e trupit gjykues, Kimete Kicaj ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet me 17 maj 2022. / GazetaePrizrenit.net
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.