Të rinjtë kategoria kryesore e të papunëve në Prizren

Sot shënohet 1 Maji-Dita e Punëtorëve. Sikur në Kosovë, edhe në Prizren kjo kalohet si një ditë pushimi e feste, ndonëse është ditë proteste për të drejtat e punonjësve. Pra, kjo ditë e pothuajse e ka humbur simbolikën dhe është kthyer në një ditë pushimi, kryesisht për punonjësit në sektorin publik, meqenëse në atë privat jo të gjithë pushojnë.

Edhe kjo ditë e gjen Prizrenin dhe komunat përreth me një numër bukur të madh të të papunëve, një pjesë e të cilëve janë të rinj, që pasi kanë mbaruar shkollimin, presin të gjejnë punë, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Në Qendrën rajonale për Punësim në Prizren, si të papunë zyrtarisht janë të paraqitur rreth 20 mijë persona. Por, dihet se numri i tyre është edhe më i madh meqenëse disa persona, fare nuk lajmërohen në këto zyra, pasi nuk shpresojnë, që përmes kësaj forme të gjejnë ndonjë vend pune.

Pjesën me të madhe të punëkërkuesve e përbëjnë të rinjtë, gjegjësisht grup mosha nga 25 deri në 39 vjeç, apo rreth 40 për qind e numrit të regjistruar. Në mesin e punëkërkuesve ka persona edhe me kualifikim superior.

Tri dekada më parë,  Prizreni është vlerësuar një gjigant ekonomik. Si qendra e dytë më e madhe në Kosovë ishte një zonë bukur e fuqishme e zhvillimit të kësaj ane. Gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, produktet e disa prej fabrikave të këtushme, përfshirë atë të tekstilit “Pinteks” fabrikën e  këpucëve “Cona Sport”, pastaj “Filigran-in”,  fabrikën ushqimore “Progres”por edhe të tjera kanë qenë të njohura në republikat e atëhershme jugosllave, e bile dhe në disa vende të rajonit.

Vetëm komuna e Prizrenit deri në vitet ’90-ta në sektorin shoqëror ka pasur rreth 20 mijë të punësuar. Siç dihet ata u përjashtuan nga puna nga regjimi serb, ndërsa pas lufte vetëm disa sosh u rikthyen në vendet e dikurshme të punës,  për shkak të fillimit të procesit të privatizimit.

Prizrenasit i konsiderojnë vitet e fundit, si gjithnjë e më të vështira për të gjetur një vend pune, duke thënë se kjo po i detyron familjet e tyre të përballen me mungesën e kushteve elementare, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Varësisht nga puna, paga tashmë sillet nga 150 euro e lartë. Një mëditje për punë krahu sillet nga 12-15 euro. Kërkesat më të shumta janë në ndërtimtari. Një numër tjetër punon nëpër qendrat tregtare. Pjesa më e madhe e të rinjve punojnë si kamerier, disa me kualifikime superiore.

20 vjet pas luftës, pikësynim kryesor për punë është sektori publik, sidomos arsimi e shëndetësia. Para një viti, për një vend pune, si infermier shëndetësorë, në Lubizhdë të qytetit në listën e ngushtë janë përzgjedhur 83 konkurrues.

Një numër i familjeve ndërkaq, ndodhen në asistencë sociale.

Procesi i privatizimit për të cilin shpresohej se mund të vinte në lëvizje makineritë e fabrikave, nuk dha ndonjë shenjë shprese, e disa e vlerësuan edhe si proces të dështuar, pasi fabrikat u shndërruan në markete, hotele, depo, apo në vend të tyre u ngritën edhe ndërtesa afaristo-banesore./GazetaePrizrenit.net