04-12-2020

Teleferiku i Kalasë së Prizrenit në kundërshtim me tri ligje

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka thënë se projekti i teleferikut për qasje në Kala është problematik për shkak se është në shpërputhje me tri ligje: Ligjin për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore, Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjin për Ujërat.

“Teleferiku faktikisht nuk është teleferik, por është gondolë, e cila i ka dy stacione. Njëra shkon poshtë, kurse tjetra lart dhe ka formën e hekurudhës, ku është paraparë të ketë dy stacione”, ka potencuar Haskuka.

Ai ka shpjeguar se stacioni i parë i teleferikut është paraparë të jetë 3 kate, bashkë me bodrum kurse stacioni në kala të jetë 4 kate.

Po ashtu Haskuka ka thënë se vlera e projektit është shumë e lartë, diku rreth 3.6 milionë euro.

Si problematike ai e ka konsideruar edhe bazën afër Kalasë e cila është 280 metra katrorë, por sipas Ligjit, çfarëdo ndërtimi që bëhet në Qendrën Historike të Prizrenit nuk mund të jetë më shumë se 150 metra katrorë.

“Problem tjetër është se pamja e kalasë prishet totalisht, sepse është vetëm 5 metra larg murit të kalasë dhe ligji në fuqi thotë se nuk mund të ndërtohet 50 metra afër kalasë”, ka theksuar kryetari Haskuka.

I pari i komunës së Prizrenit thotë se ky projekt nuk e ka pëlqimin e Qendrës për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, Këshillit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, Institutit Arkeologjik dhe disa institucioneve të tjera.

“Përfundimisht çështjen e teleferikut duhet rishqyrtuar  dhe atë​ duhet bërë sipas nevojave të qytetarëve dhe jo sipas nevojave të disave personave që kanë pasur dëshirë për të bërë restorant pikërisht në ambientet e kalasë”, është shprehur Haskuka.

Mytaher Haskuka ka thënë se teleferiku duhet të bëhet, por duhet të jetë me gjatësi një stacion më larg kalasë, rreth vendit të quajtur “Pasha çeshme”, dhe duhet të jetë më pak i kushtueshëm.

“Duhet të jetë praktik edhe për qytetarët edhe për vetë qytetin e Prizrenit. Projekti aktual i teleferikut, nuk do t’ia rriste vlerën Prizrenit, përkundrazi, do t’ia humbte”, ka thënë Haskuka.

Gazeta JnK nuk ka marrë përgjigje nga OShP kur është pyetur në lidhje me atë nëse është e drejtë që të respektohet Ligji për Prokurim Publik në rastin e teleferikut për qasje në kalanë e Prizrenit e nga ana tjetër të shkelen tre ligje të tjera të cilat janë potencuar nga Haskuka.

“Sa i përket pyetjeve tuaja lidhur me lënden në fjalë, mund t’i referoheni vendimit të panelit shqyrtues”, thuhet në përgjigjen e OShP-së.

Paneli shqyrtues i OShP-së ka konstatuar se Komuna e Prizrenit nuk e ka bërë rivlerësimin e këtij aktiviteti të prokurimit komfor vendimit të OShP-së, por e ka anuluar të njëjtin me vendim të kryetarit të komunës, Mytaher Haskuka.

Është sqaruar se asnjë dispozitë ligjore nuk parasheh që me vendim (ndërhyrje) të kryetarit të komunës mund të anulohet një aktivitet i prokurimit, sepse të gjitha procedurat e anulimit të një aktiviteti të prokurimit parashihen edhe me nenin 44.7 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik (RrUOPP).

Njoftimi për kontratë për këtë aktivitet të prokurimit është përgatitur në muajin prill të vitit 2017 dhe afati për operatorët ekonomikë për dorëzimin e aplikacioneve ka qenë deri në muajin qershor.

Tre operatorë kanë dorëzuar ofertat e tyre. Kompania “I. Seferi” me seli në Prizren ka ofertuar me një çmim prej 3 milionë e 411 mijë eurove. Konsorciumi “Energoremont D.D-Dega në Kosovë & Energoremont D.D & KAG Asphalt company” ka ofertuar me 3 milionë e 465 mijë euro, ndërsa operatori “Ekoinvest” me seli në Prishtinë ka ofertuar me 3 milionë e 296 mijë euro.

Komuna e Prizrenit ka vonuar plot 100 ditë vlerësimin e këtyre ofertave. Më 30 tetor 2017 ka vendosur që këtë tender të anulojë.

Kundër njoftimit për anulimin e aktivitetit të prokurimit operatori ekonomik “Energoremont D.D. – Dega në Kosovë & Energoremont D.D. & kag Asphalt Company” sh.p.k – Prishtinë me datë 16.04.2018 ka bërë kërkesë për rishqyrtim tek autoriteti kontraktues.

Me 20.04.2018.2018, autoriteti kontraktues ka marrë vendim për ta refuzuar kërkesën për rishqyrtim të operatorit ekonomik “Energoremont D.D. –Dega në Kosovë & Energoremont D.D. & kag Asphalt Company” sh.p.k – Prishtinë.

Operatori ekonomik ankues “Energoremont D.D. – Dega në Kosovë & Energoremont D.D. & kag Asphalt Company” sh.p.k – Prishtinë, si palë e pakënaqur, ka deponuar ankesë në OShP, me 27 prill 2018, kundër njoftimit për dhënie të kontratës me titull “Ndërtimi i teleferikut për qasje më të lehtë në kalanë e Prizrenit”, të iniciuar nga AK – Komuna e Prizrenit duke pretenduar se AK ka vepruar në kundërshtim me nenet 1, 6, 59, 62 të Ligjit për Prokurim Publik të Republikës së Kosovës.

Gazeta JnK ka shkruar edhe për anulimin e tenderit për teleferikun e Prizrenit dhe shkeljet ligjore të konstatuara në këtë tender.

 

Asnjë koment

Comments are closed.