24-11-2024

Telekomi i Kosovës në rrezik falimentimi, fajtore edhe Prokuroria e shtetit

Edhe prokuroria dyshohet të jetë e përfshirë në kontratën e dëmshme të Z-Mobile dhe kompanive të tjera private me Telekomin e Kosovës. Dyshimet bazohen në atë se Prokuroria e Shtetit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim serioz qe 10 vite për t’i zbardhur këto kontrata, për çka po rrezikohet falimentimi i Telekomit. Dyshimet i kanë ngritur kryetari i Komisionit të Kuvendit për Hetimin e Telekomit, Visar Ymeri, si dhe juristi Ehat Miftaraj.

Telekomin e Kosovës para falimentimit mund ta kenë sjellë një rrjet i organizuar i njerëzve, ka thënë për Radio Kosovën kryetari i Komisionit Hetimor, Visar Ymeri. Për shkak të mosveprimit, Ymeri dyshon edhe në Prokurori, përkatësisht në Sistemin Gjyqësor.

“Po, mund të ketë elemente brenda gjyqësorit në prokurori e gjyqësi të cilët pa qëllim, por ka shumë mundësi të kenë bërë me qëllim, që ta neglizhojnë këtë çështje dhe të përligjin disa vendime të cilat qartazi nuk do të duhej të ishin as legjitime, e aq më pak të pranueshme për interesin publik të Republikës së Kosovës”, tha Ymeri.

Kontrata me Kompaninë “Devolli” por edhe me disa kompani të tjera, kanë qenë pjesë të mediave që 10 vite dhe deri tash prokuroria ishte dashur t’i zbardhte. Pasi nuk e ka bërë një gjë të tillë, juristi Ehat Miftaraj dyshon se edhe prokuroria është e përfshirë në këtë krim të organizuar.

“Nuk ka pikë dyshimi që prokurori i shtetit është pjesë e këtyre lojërave. Prokurori i shtetit me mosveprim apo me veprime korruptuese është duke punuar për t’i amnistuar pothuajse të gjithë personat të cilët kanë qenë pjesë e pazareve ekonomike përmes politikës, përmes grupeve të interesit, lidhur me Telekomin e Kosovës”, ka thënë Miftaraj.

Përderisa Prokuroria nuk i ka kthyer përgjigjet në pyetjet e Radio Kosovës në lidhje me atë se a është duke e hetuar kontratën me Z-Mobile dhe kontratat e tjera, juristi Miftaraj ka informata se prokuroria ka bërë një lëvizje të dyshimtë.

“Kjo prokurori, e cila për ndoshta më shumë se një vit e ka trajtuar këtë lëndë, papritmas ka vendos që këtë t’ia delegojë një prokurorie e cila nuk ka kompetencë për të trajtuar këtë lëndë. S’ka resurse profesionale për t’u marrë me një rast që sigurisht hyn në kuadër të veprave penale të krimit të organizuar”, ka thënë ai.

Një qasje e tillë e prokurorisë, sipas Miftarajt, dëshmon se kjo prokurori është duke i ushtruar kompetencat sipas porosisë, qoftë të politikës, qoftë të grupeve të interesit dhe qëllimi i prokurorisë duket të jetë dështimi, e assesi hetimi, ndjekja penale apo ngritja e aktakuzave ndaj personave të cilët e kanë sjellë Telekomin në gjendje të tillë. Përveç me Z-Mobile, sipas Komisionit Hetimor, kontrata të dëmshme janë nënshkruar edhe me “Cactus”, “Interadria” e kompani të tjera, të cilat ofrojnë shërbime të ngjashme, për të cilët sektorë Telekomi paguan paga punëtorëve të tij./rtklive

Asnjë koment

Comments are closed.