30-07-2026

Tentuan të realizonin shitblerje tokash në vlerë prej 1.55 milionë euro me dokumente false, tre të arrestuar

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre persona të dyshuar për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve, pas një hetimi të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Sipas njoftimit, njësia rajonale e DHKEK-së në Prishtinë ka siguruar informacione dhe prova që ngritin dyshimin se tre të dyshuarit kishin falsifikuar dokumente të ndryshme, përfshirë pasaporta, letërnjoftime dhe certifikata, të cilat dyshohet se i kishin përdorur si dokumente të rregullta.
Me këto dokumente, të dyshuarit dyshohet se kishin tentuar të realizonin në mënyrë të kundërligjshme shitblerjen e tokave, me synim përfitimin e një shume prej 1 milion e 550 mijë eurosh.
Policia ka bërë të ditur se rasti po hetohet nën dyshimet për veprat penale “bashkëkryerja”, “ndihma”, “mashtrimi” dhe “falsifikimi i dokumenteve”.
Tre të dyshuarit janë intervistuar më 30 korrik, në prani të avokatëve mbrojtës. Pas konsultimit me prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, dy prej tyre janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Në njoftimin e ofruar nuk është bërë i ditur veprimi i ndërmarrë ndaj të dyshuarit të tretë.

Asnjë koment

Comments are closed.