05-05-2024

Tërhiqet Haskuka, paralajmëron mbajtjen e “Zambakut”

Një ditë para mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal(KK), të kërkuar nga opozita për shkak të mosmbajtjes së festivalit tradicional “Zambaku i Prizrenit, Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ka njoftuar për siç ka thënë përgatitje të festivalit, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Ai këtë e ka bërë të ditur në profilin e tij në facebook, në të cilin ka përmendur edhe përkrahjen për disa aktivitet dhe organizatat kulturore.

Haskuka që nuk ka paraqitur ndonjë qëndrim të tij, ndonëse tërë javën ka pasur reagime opozitare dhe nga individë e pjesë të shoqërisë civile për mosmbajtjen e “Zambakut”, një deklarim të këtillë e ka bërë, një ditë para se KK të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të debatuar rreth përgjegjësisë së tij dhe drejtorit të Kulturës, Ehat Oreshka, për mosmbajtjen e sivjetme të festivalit.

Por, ndonëse ka shkruar një shkrim ndër më të gjatin, në facebook, ai nuk ka njoftuar për kohën e mbajtjes. Nuk dihet nëse një veprim i tillë i kryetarit është bërë, pas reagimit konkret të opozitës, që e ka detyruar atë të mbaj mbledhje të jashtëzakonshme jo vetëm në kohë të pushimeve verore,  por ende pa bërë 8 muaj të plotë në pushtet.

Ja postimi i plotë i tij, pa ndërhyrje redaktoriale:

Komuna e Prizrenit përgatit edicionin e 30-të të Zambakut të Prizrenit.

Me të ardhur në detyrë, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka pasur komunikim të vazhdueshëm me komunitetin artistik dhe organizatat kulturore lidhur me politikat aktuale të kulturës dhe mënyrën e organizimit të jetës kulturore në qytet.

Ndër shqetësimet kryesore të hasura në këto diskutime ka qenë mënyra e organizimit të festivalit Zambaku i Prizrenit” si dhe mungesa e vazhdimësisë në cilësinë artistike dhe e standardit organizativ. Për ta përfshirë komunitetin në këtë diskutim, DKRS-ja ka organizuar edhe debate publike ku ka matur pulsin e komunitetit të festivalit “Zambaku i Prizrenit”.

Duke pasur parasysh traditën e shquar muzikore të Prizrenit, përfshirë shkollën e parë të muzikës në Kosovë, shoqëritë kulturore-artistike të shumta, kompozitorë dhe instrumentistë të shumtë të dalë nga Prizreni si dhe Zambakun e Prizrenit, Komuna e Prizrenit i kushton rëndësi të veçantë artit muzikor dhe veçse ka iniciuar procedurat për themelimin e Orkestrës së Qytetit të Prizrenit.

 

Përtej kësaj, komuna ka nisur një hulumtim ku do të analizohen aspekte të ndryshme të Zambakut të Prizrenit, përfshirë misionin e tij, mënyrën e organizimit, mënyrën e financimit, formatin e festivalit, përcaktimin e bartësve si dhe aspekte të tjera që mundësojnë gjetjen e zgjidhjes afatgjate për organizim dinjitoz të këtij festivali.

 

Ky proces do t’i përshijë edhe takimet publike dhe fokus grupet, ku profesionistë dhe qytetarë do ta japin kontributin e tyre për gjetjen e kësaj zgjidhjeje. Përderisa edicioni i 30-të i festivalit “Zambaku i Prizrenit” do të përgatitet në mënyrën më të mirë të mundshme, opinioni do të informohet me kohë për hapat e mëtutjeshëm mbi të ardhmen e këtij festivali.

 

Asnjë koment

Comments are closed.