Në qytetin e Prizrenit kanë ardhur në jetë dy foshnje.
Nënat e tyre kishin gjetur strehë në këtë qytet pas tërmetit që ndodhi në Durrës.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, ka vizituar nënat e reja në spitalin rajonal të qytetit.
Ndonëse në muajin e nëntë të shtatzënisë Manushaqe Hoda u detyrua ti kalojë dy netë nën tenda.
Nëna e cila solli në jetë fëmijën, Manushaqe Hoda, ka treguar se ishte e vështirë të qëndronin jashtë për shkak se ishte ftohtë, kjo ishte edhe arsyeja që ata vendosën të strehoheshin në Kosovë.
Kurrë nuk e kishte menduar më herët që fëmijën e saj të shtatë do ta lindte në Kosovë, konkretisht në Prizren, thotë ajo.
Atë e ka vizituar sot ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi.
Por nuk është vetëm Manushaqja nga Durrësi që ka sjellë fëmijë në jetë në Prizren, në po të njëjtën ditë një nënë tjetër Morena Selimi po durrsake ka sjellë në jetë një foshnjë të gjinisë mashkull.
Të dy foshnjat dhe nënat gëzojnë shëndet të plotë.
Qyteti i Prizrenit ka numrin më të madh të personave të ardhur nga qytetet e Shqipërisë të cilët janë të prekur nga tërmeti.