28-11-2024

Tërmeti në Itali, mbyllen shkollat për arsye sigurie

Shkollat ​​në rajonin e Perugias, në Italinë qendrore, do të qëndrojnë të mbyllura nesër dhe pasnesër, si masë paraprake. Vendimi është marrë pas tërmeteve të regjistruara sot në rajonin e Umbria.

Një tërmet goditi Umbrian rreth orës 16:05 me magnitudë 4.6 ballë. Dy pasgoditje u regjistruan në mbrëmje brenda pesë minutave, e para, në orën 20:08, ishte me magnitudë 4.6, e dyta, në orën 20:13, kishte një magnitudë provizore midis 3.7 dhe 4.2.

Pak më parë shërbimi i mbrojtjes civile italiane bëri të ditur se nuk ka të lënduar apo dëme të rënda materiale.

Shumë banorë, megjithatë, në rajonin e Umbria, pas këtyre lëkundjeve dolën në rrugë dhe nuk janë kthyer ende në shtëpitë e tyre. Zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje për arsye sigurie, u evakuan katër ndërtesa, në të cilat banojnë gjithsej tridhjetë persona. Edhe Universiteti i Perugias do të qëndrojë i mbyllur nesër dhe pasnesër.

Së fundmi, mediat vendase theksojnë se ky rajon i Italisë qendrore është veçanërisht sizmik dhe se mund të ndodhin tërmete më të forta. /abcnews.al

Asnjë koment

Comments are closed.