Tërmeti në Turqi, presidentja Osmani e shpall ditën e nesërme “Ditë Zie”
Presidentja e Republikës së Kosovës,Vjosa Osmani, ka shpallur ditën e nesërme, 8 shkurt, si Ditë Zie, pas tërmetit shkatërrimtar në Turqi.
“Mendimet dhe lutjet tona sot, sikurse edhe dje janë për viktimat, të lënduarit dhe të gjithë të prekurit nga ky tërmet e solidarizimi ynë është i plotë. Ushtarakët tanë tashmë gjinden në Turqi ndërkaq Kosova është në dispozicion të plotë të vazhdojë mbështetjen” ka thënë mes të tjerash Osmani.
Ndërkohë, në njoftimin zyrtar të Presidencës, shkruhet se “në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e mërkurë, 8 shkurt 2023, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmeteve në Turqi, të cilat lanë mijëra persona të vdekur dhe të lënduar”.