Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, me rastin e fillimit të testit PISA është shprehur optimist se këtë herë nxënësit nga Kosova do të dalin me rezultate shumë më të mira se para tri vitesh.
Këto komente ministri Bytyqi i bëri me rastin e vizitës së shkollës të mesme të ulët në Prizren, “Ibrahim Fehmiu”, shkollë kjo e cila nuk i është nënshtruar testit PISA.
Ky test në këtë komunë do të zhvillohet në 4 ditë, testit gjithsej do t’i nënshtrohen 462 nxënës.
Ndërsa për të ardhur deri te kjo ditë, ministri i Arsimit tha se është dashur një angazhim dhe përkushtim shumë i madh.
“Ne kemi arritur që me një mobilizim të përgjithshëm duke i kontaktuar të gjithë shkollat, mësimdhënësit e nxënësit, kanë arritur që ta kuptojnë rëndësinë e testit PISA. Kanë marrë i formacionet e duhura, e kuptojnë rëndësinë, gjë që ka munguar në vitin 2015. Dhe ky angazhim më bën të besoj që do të dalim shumë më mirë në testin PISA”, tha ai.
Bytyqi tha se askush përveç koordinatorëve nuk mund të jetë prezent në shkollat në të cilat është duke u mbajtur testi.
“Sipas rregullave të testit PISA nuk lejohet. Për këtë arsye ne kemi zgjedhur një shkollë tjetër dhe të tregojmë që ne kemi qenë vazhdimisht të kujdesshëm që të bëhet një punë e mirë në teren. Mirëpo për shkak të rregullave nuk mund të jemi në shkollën ku do të mbahet testi”, shpjegoi ministri.
Edhe kryetari i komës së Prizrenit, Mytaher Haskuka shpreson se testi i këtij viti të ketë rezultate më të mira.
Sipas tij, rezultatet e vitit 2015, kanë shërbyer për të evidentuar dhe rregulluar dobësitë e sistemit.
“Rezultatet e herës së kaluar mendoj që kanë treguar dobësitë e sistemit dhe mendoj që do të na ndihmojë në rregullimin e gjendjes. Ne si komunë do të punojmë në përmirësimin e arsimit, sidomos në përmirësimin e kushteve dhe në selektimin më të mirë dhe në vlerësimin më të mirë të stafit brenda sistemit. Besoj që cilësia do të ngritet gradualisht, por duhet që sistemi arsimor në Kosovë të kthehet në atë që të mos kemi nxënës që memorizojnë tekste, por të kemi nxënës që mësojnë logjikshëm dhe kuptojnë atë që lexojnë”, tha Haskuka.
Drejtori për Kulturë dhe Arsim në Prizren, Skender Susuri, ka shpjeguar mbarëvajtjen e procesit të testimit, raporton KP.
“Ato janë rregulla të përcaktuara. Fillimisht është një orë, pastaj pas një ore është 5 minuta pushim për të vazhduar në orën tjetër. Pas orës së dytë është pauza 30 minuta ku nxënësit do të marrin pushimin dhe pastaj është një pyetësor i cili zgjatë 35-45 minuta. Do të thotë në total prej 3 orë… Testi në Prizren mbahet me katër data, sot, nesër, pasnesër dhe më datën 23”, bëri të ditur ai.
Ministri i Arsimit dhe kryetari i Komunës së Prizrenit gjatë ditës vizituan edhe shkollën “Mati Logoreci”. Në vazhdën e takimeve, ministri Bytyqi vizitoi edhe Universitetin e Prizrenit ku u takua me rektorin, Ramë Vataj/telegrafi.com/
Komento