Në kontekstin e shënimit të 28 Nëntorit – festës që përkon me disa ngjarje madhore të historisë kombëtare, për tetë dëshmorë nga rajoni i Hasit është ndarë urdhri “Hero i Kosovës”
OVL e UÇK-së në Has ka njoftuar se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u jep këtë titull dëshmorëve: Zenun Çoçaj, Reshat Çoçaj , Besnik Çoçaj, Qenë Qenaj, Muharrem Samahodaj, Hamëz Ukaj, Shefki Thaqi, si dhe Asllan Berisha.
Në një ceremoni, që u mbajt sot në Gjonaj të Hasit është zbuluar busti i dëshmorit Reshat Çoçaj, ku familjarëve të tij iu dha urdhri i Presidentit, Hashim Thaçi, “Hero i Kosovës”.
Do theksuar se me fillimin e veprimeve të UÇK-së, një pjesë e banorëve të fshatrave të Hasit jo vetëm të Kosovës, por edhe të Shqipërisë, kanë ndihmuar çlirimtarët e Kosovës në bartjen e armëve për në vatrat e luftës.
Një numër i tyre, përfshirë edhe ata që janë kthyer nga mërgimi janë inkuadruar drejtpërdrejtë në frontet e luftës, duke rënë për lirinë e vendit. /GazetaePrizrenit.net/