Thaçi i shkruan Kurtit: Nuk e keni shfrytëzuar të drejtën tuaj të propozimit, do të konsultohem me partitë tjera për mandatarin

Presidenti Hashim Thaçi, sot i ka shkruar edhe një letër kryeministrit në detyrë Albin Kurtit.

Në letrën e siguruar nga Insajderi, presidenti Thaçi, i ka thënë kryeministrit në detyrë, Kurti, se me veprimet e tij nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për propozimin e kandidatit të ri për ta formuar Qeverinë.

“Prandaj në përputhje me nenin 95 të Kushtetutës dhe aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr.K0103/14 do të bëjë konsultim të përbashkët me liderët e partive politike për hapat e mëtejmë”, thuhet në letrën që presidenti i ka dërguar sot Kurtit.

Thaçi, ka ftuar sot pasdite në një takim të përbashkët të gjithë liderët e partive parlamentare për konsultimin e fundit rreth vullnetit të tyre politik për Qeveri të re apo zgjedhje të reja.

Takimi do të mbahet sot në ora 16:30/ Insajderi.com