25-11-2024

Thaçi me fjalë të buta, i kërkon Ramës ta heq taksën rrugore dhe hapjen e kufirit

Presidenti Hashim Thaçi i ka bërë thirrje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës që të heqë taksën rrugorë dhe që të hap kufirin Kosovë – Shqipëri, raporton Gazeta Express.

Në konferencën e fund vitit, Thaçi ka thënë se Kosova është e gatshme që qysh sot të heq kufirin dhe doganën dhe çdo barrierë tjetër me Shqipërinë.

“Konfirmoj në emër të institucioneve të Kosovës, Kosova qysh sot jo nesër, qysh sot është e gatshme të marr vendim për heqjen e kufirit dhe doganës dhe çdo barriere tjetër me Shqipërinë, qysh sot, çdo barrierë që kemi mes shteteve të Kosovës hiq nuk ka nevojë me shty nesër, do të ishte mrekulli sikur viti 2020 të fillojë me vendimin për heqjen e kufirit dhe doganës mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, për çka e ftoj mikun tim, kryeministrin Edi Rama të merr këtë vendim, unë jam gati”, thotë ai.

Tutje, presidenti shton se nuk mund të priten teket e shtetit serb.

“Sepse ne nuk mund të presim teket e Serbisë, është absurditet kur e dijmë që diçka e tillë duartrokitet në vendet që nuk e duan të ardhmen e përbashkët të dy shteteve tona, apo, te kërcënimet boshe që mund të vijnë për këtë akt nga BE plotësisht i lodhur dhe i paaftë. Është shumë ledhatuese për Serbinë dhe Malin e Zi”, thotë ai.

Sa i përket raporteve me Edi Ramën pas Samitit të Tiranës, Thaçi ka thënë se vlerëson kontributin e mikut të tij të zgjedhur.

“Ne jemi vëllezër, nuk do të mund të tradhtoj as interesat e Shqipërisë, as për Kosovën sepse të dy shtetet tona funksionojnë si shtete normale, me kushtetuta dhe shtete moderne.

Vlerësoj kontributin e mikut tim, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama është miku im i zgjedhur, vlerësoj angazhimin e tij për paqe dhe stabilitet, por, në të njëjtën kohë vlerësoj që Serbia duhet të trajtohet me një tjetër gjuhë, në fakt iniciativa të cilat kanë ndodhur kjo është pozicioni si shtet, duke mos e trajtuar Kosovën si shtet të pavarur i ofrojnë alibi Serbisë për shtyrjen e njohjes”, ka thënë Thaçi./GazetaExpress

Asnjë koment

Comments are closed.