Objektet e institucioneve të ndryshme, shpesh herë janë cak i keqbërësve të cilët përmes akteve vandale shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale. Kështu ka ndodhur edhe me Zyrën e Gjendjes Civile në fshatin Gjonaj të Hasit në Prizren, pasi së fundi ka qenë cak i një sulmi nga disa persona ende të paidentifikuar, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se zyrtari i institucionit ka denoncuar rastin në Polici, ku ka bërë me dije se persona të panjohur kanë thyer xhamin e zyrës dhe kanë vjedhur vulën zyrtare të gjendjes civile.
Sipas tij, nuk dihet koha e sakte kur ka ndodhur vjedhja, për shkak se Zyra punon vetëm dy ditë në javë dhe nuk ka rojë e as kamera të sigurisë që monitorojnë atë zonë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante, të cilat kanë kryer ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.
Lexo edhe: