Pas braktisjes së koalicionit nga AAK, kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, sot mbajti konferencë për medie, ku ndër të tjera tha se për shkëputjen nga koalicioni qeverisës është informuar nga mjetet e informimit.
Ai ka falënderuar për kontributin dhe bashkëpunimin e deritanishëm me këtë subjekt politik, dhe tha se gjatë një bashkëbisedimi në mesin e vitit 2023 me kryetarin e degës së AAK, Besnik Krasniqi, është biseduar çështja e mundësisë së zëvendësimit të drejtoreshës së Shëndetësisë, për shkak të mungesës së performancës.
“Për këtë kam kërkuar zëvendësimin e drejtoreshës së Shëndetësisë, kurse ata kanë propozuar ndërrimin edhe të drejtoreshës së Emergjencës dhe Sigurisë. Unë nuk jam pajtuar sepse kjo e fundit ka treguar performancë të mirë”, tha ai.
Totaj, tha po ashtu se pozita e drejtoreshës së Shëndetësisë ka qenë edhe në një formë konflikt interesi, pasi është motra e kryetarit të degës së AAK.
Ai ka thënë se AAK ende ka kohë që të reflektojë, dhe “se ne jemi të hapur për të vazhduar bashkëpunimin”.
Sipas tij përveç drejtoreshës së Shëndetësisë, Burbuqe Krasniqi edhe drejtori për Mirëqenie Sociale, Edmond Hoxha, është dorëhequr, përkundër faktit se ka treguar performancë tejet pozitive, ndërsa punën është duke e vazhduar drejtoresha për Emergjenca dhe Siguri, Ramize Sinanaj- Shala.
Lexo edhe:
Krasniqi i AAK-së: Komunikimi me Shaqir Totajn ka qenë i vrazhdë
Kreu komunal tha se nëse s’do të ketë reflektim nga AAK, atehere ai do të marrë vendime për emërimin e dy drejtorëve të rinj.
/ Gazeta e Prizenit