23-11-2024

Totaj: Rastet e fundit me Covid-19 vulosën dështimin rreth menaxhimit të Pandemisë në Prizren

Nënkryetari i PDK-së, njëherësh kryetari i këtij subjekti në Prizren, Shaqir Totaj, ka kritikuar qeverisjen e komunal të Prizrenit për mos menaxhim të mirë të situatës ndaj Covid 19, transmeton Gazeta e Prizrenit.

Pas shpërthimit të rasteve të reja në Prizren, një ditë më parë, Totaj ka theksuar se komuna dje përjetoi ditën më të rëndë, me numrin më të madh të rasteve,  ndërkohë që Pandemia po shkonte drejt fundit, ai kërkuar llogaridhënie nga kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, duke e vlerësuar qasjen e deritashme ndaj gjendjes si “axhami-menaxhim”.

Ky është postimi i plotë:

“Me keqardhje na duhet ta kujtojmë gjendjen e fundit sa i përket numrit të të infektuarve me Koronavirus në Prizren.
Komuna jonë dje përjetoi ditën më të rëndë, me numrin më të madh të rasteve, që nga fillimi i Pandemisë, meqenëse janë paraqitur edhe 19 të infektuar të rinj.

Shifra të tilla ndodhin kur Pandemia po shkonte drejt fundit. Kjo është dëshmia më e mirë për menaxhimin e gjendjes në Prizren.

Në fakt një muaj më parë edhe pata paralajmëruar, kur përmes “facebook-ut” paraqita shqetësimin, si një paradoks për udhëheqjen e shtabit emergjent në Prizren, ku në vend të ndonjë mjeku e drejtonte Visar Shehu, një ekonomist, por që udhëheq Drejtorinë  Komunale të Shëndetësisë.

Paradoksi ishte qysh në emërimin e tij në këtë pozitë, pasi për herë të parë në praktikën e pasluftës në Prizren, Vetëvendosje për udhëheqjen e njërit prej sektorëve më të rëndësishëm, siç është shëndetësia, përcaktoi një person që nuk i takon fushës përkatëse.

Në mes të prillit kam paralajmëruar përmes këtij shkrimi që ndodhet në profil: “Në ballë të angazhimeve kundër Corona- virusit në Prizren do të duhej të ishte një mjek specialist i fushës dhe jo një ekonomist !!!
Ndoshta jo që mundet edhe çdo mjek, por konsideroj se në shtab duhet të jetë ndonjë Infektolog, Epidemiolog, e të tjerë!”.

Vrapi për të dalë para kamerave më tepër për të fituar popullaritet se sa për treguar dhënë diçka, në vend të punës konkrete në terren, vetëm sa vulosi dështimin.

Sipas shënimeve, Prizreni është komuna e dytë më e prekur me koronavirus në Kosovë, ku deri tash janë regjistruar 121 raste me koronavirus.  Nëse situata nuk merret me seriozitet, druaj se me modelin e llojit ‘’axhami-menaxhim” , Prizreni do të shndërrohet në “Wuhan” të Kosovës.

Duke kërkuar llogaridhënie nga kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, uroj për shërimin sa më parë të të infektuarve dhe i lutem Zotit për mosparaqitjen e rasteve të tjera!”, ka shkruar Totaj.

 

Asnjë koment

Comments are closed.