Tragjedia e Gjenovës alarmon për gjendjen e urës së Kukësit
Tragjedia e Gjenovës në Itali, ku shembja e urës Morandi shkaktoi 39 viktima, mes të cilave edhe dy shqiptarë, shërbeu si kambanë alarmi për gjendjen e urave në gjithë Evropën.
Ndërkohë që shumë shtete madje kanë nisur menjëherë kontrollet dhe marrjen e masave, shkruan sot Koha Ditore. Drejtori i Policisë Rrugore në Shqipëri , Mithat Tola, bëri me dije, të premten, se javën në mbyllje të muajit gusht dhe ato në vijim, Shërbimi i Policisë Rrugore në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, nisur nga ngjarja tragjike, ka filluar inspektimin e sistemeve të sinjalizimit vertikal dhe horizontal mbi tregimin e peshës së lejuar të mjeteve mbi ura, si dhe në përbërje të grupeve teknike të inspektimit edhe për të verifikuar gjendjen e këtyre strukturave dhe të elementeve të sigurisë.
“Në bashkëpunim me aktorë të tjerë të ngarkuar me ligj për menaxhimin e elementeve të sigurisë rrugore në këto infrastruktura, Shërbimi i Policisë Rrugore do të monitorojë në mënyrë të rreptë tejkalimet e peshave të ngarkesave të mjeteve, për të shmangur dëmtimet dhe respektimin e ligjit duke ‘prodhuar’ më shumë siguri rrugore”, tha ai në një deklaratë për media.
Ura mbi Drinin e Zi në hyrje të Kukësit, që lidh verilindjen dhe Kosovën me pjesën tjetër të Shqipërisë , është një prej veprave të artit infrastrukturor që po bëhet gjithmonë e më e rrezikshme për shkak të amortizimit. Hapësirat mes trarëve lidhës janë zgjeruar, ndërsa çernierat të cilat shërbejnë për eliminimin e tronditjeve dhe lidhjen e trarëve janë dëmtuar plotësisht. Mungesa e kushteve të sigurisë për kalimin e këmbësorëve dhe të automjeteve tregojnë se mirëmbajtja e urës prej kohësh mungon.
Mbi këtë urë aktualisht kalojnë automjete të tonazheve të ndryshme, por që nuk ka një raport për peshën që ajo mund të përballojë duke pasur parasysh edhe amortizimin e viteve.