Të paktën tre aktivistë të Vetëvendosjes! e kanë zyrtarizuar kandidaturën për kryetar të komunës së Prizrenit, në zgjedhjet e brendshme të këtij subjekti.
Pos kryetarit aktual Mytaher Haskuka, gatishmërinë për t;i hurë garës në zgjedhjet lokale të vjeshtës e kanë shprehur edhe deputetja Drita Millaku dhe Dr. Irfan Daullxhiu, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Këtë e konfirmuan burime të besueshme të portalit, të cilat preferuan të mbeten anonim.
Ndërkohë, që Haskuka ende nuk e kishte konfirmuar ri-kandidimin, Millaku tre muaj më parë e ka shpallur kandidaturën e saj.
Ndër pretendentët serioz për të parin e Prizrenit nga VV lakohet edhe emri i kardiologut Dr. Ifran Daullxhiu, shkruan “Gazeta e Prizrenit”, derisa ndër emrat serioz, që sipas informacioneve po analizon kreu i partisë Albin Kurti, është edhe ai i deputetit Dr. Haxhi Avdyli nga lista “Guxo”.
Për dallim nga PDK, LDK e Nisma, që tashmë kanë përcaktuar kandidatët për kryetar komune në Prizren, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka bërë këtë.
Jo vetëm nga opozita, por edhe nga shoqëria civile, qeverisja e Haskukës është karakterizuar me kritika të shpeshta për dështime në arsim, higjienën e qytetit, në infrastrukturë, etj.
Duket se pakënaqësitë e shkaktuara në degën e Vetëvendosjes në Prizren, por edhe në disa qendra, ndikuan që VV që të shpallë zgjedhjet e brendshme për pretendentë për kryetarë komunash.
Këtë vendim të Vetëvendosjes, disa e kanë interpretuar si mungesë të mbështetjes për kandidatin aktual Haskuka.
Ndërkaq, ditë më parë kuvendarja e VV-së në Kuvendin e Prizrenit, Mimoza Bushrani përmes një postimi në “facebook”, la të kuptohet se Haskuka do të jetë kandidati që do t’i hyjë garës zgjedhore për të rimarrë mandatin e dytë. “Me Mytën + 4”, shkroi ajo.
Zëra të fuqishëm brenda degës, me kusht anonimiteti ndërkaq shprehen se megjithatë Millaku do të jetë kandidati i VV-së, pasi ka përkrahjen e degës.
Sipas njoftimit, dorëzimi i dokumentacionit të nevojshëm për konkurrim, ishte deri me 3 korrik. /GazetaePrizrenit.net