Sot pati një aksion të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit që u zhvillua ndaj disa inspektorëve të ATK-së në Gjakovë. Cak ishin disa inspektorë që dyshohet se janë përfshirë në veprime të kundërligjshme, të cilët kanë përfunduar në prangat e Policisë.
Tre të arrestuarit, dyshohet se në periudha të ndryshme kohore dhe në lokacione të ndryshme në Gjakovë, kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të ndryshëm të bizneseve.
Nga Policia e kanë konfirmuar se duke zbatuar masat hetimore, janë siguruar dëshmi se tre të dyshuarit, me qëllim të përfitimit pasuror, kanë pranuar ryshfet në shuma të ndryshme parash në disa raste të ndara, si dhe të mira materiale të ndryshme pa pagesë nga pronarët e bizneseve në Komunën e Gjakovës.
“Sot, më datë 20.01.2025, me Urdhër nga Gjykata Themelore në Gjakovë në koordinim me prokurorin përgjegjës të rastit janë kontrolluar tri objektet e banimit të personave të dyshuar (dy në Gjakovë dhe një në Pejë) ku janë siguruar prova materiale që ndërlidhen me rastin.
Gjatë kontrollit janë sekuestruara dëshmitë si në vijim:
- para të gatshme 11600 Euro,
- katër (4) telefona mobil
- një ( 1 ) IPOD
- një (1) pasaportë e Republikës se Shqipërisë
- një (1) letërnjoftim i Republikës se Shqipërisë ” – njoftoi Policia.
Tre të dyshuarit janë intervistuar dhe me aktvendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë./ G. Sinjali