26-11-2024

Tre të akuzuarit pranojnë fajësinë, kishin shkruar nëpër rrjete sociale se duhet vrarë e pushkatuar gazetarin V. Kajtazi

Të akuzuarit Brahim Hajvazi, Kadri Raci dhe Afrim Gashi, kanë pranuar fajësinë se në dhjetor të vitit 2021 përmes rrjeteve sociale kishin shkruar se duhet të vrarë, pushkatuar, gjymtuar dhe djegur gazetarin Vehbi Kajtazi bashkë me familjen e tij.

Një deklarim të tillë, të njëjtit e dhanë të premten në seancën fillestare pas leximit të aktakuzës nga prokurori Eset Rama, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E ndjej veten fajtor. Kam gabu, kam shpreh njëfarë mllefi”, tha i Brahim Hajvazi.

Kurse, i akuzuari Kadri Raci u shpreh se një gjë të tillë e ka bërë nga mllefi.

Edhe Afrim Gashi tha se e ndjen veten fajtor dhe i kërkoi falje palës së dëmtuar.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve u pajtua prokurori Rama, të cilin më pas e ka aprovuar gjykatësja e rastit Sulltane Hoti.

Më pas tre të akuzuarit kërkuan nga gjykata që ndaj tyre të shqiptohet një dënim sa më i butë.

Shpallja e aktgjykimit do të behët më 29 gusht të këtij viti.

Ndryshe, në këtë rast akuzohet edhe Alban Hazrollaj për të cilin gjykatësja Hoti bëri të ditur se gjykata ka njohuri se i njëjti gjendet jashtë shtetit, ndërsa me propozimin e prokurorit Rama është veçuar procedura për të me qëllim të efikasitetit të procedurës penale.

Po ashtu në këtë seancë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Rama, i njëjti ka bërë përmirësimin teknik të emrit të të pandehurit në dispozitiv të aktakuzës, ku në vend të emrit Adem duhet të jetë Afrim Gashi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 25 janar 2022, ka ngritur aktakuzë kundër Brahim Hajvazi, Kadri Raci, Afrim Gashi dhe Alban Hazrollja të cilët akuzohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “kanosja”.

Sipas aktakuzës më 14 dhjetor 2021 katër të pandehurit e lartcekur përmes rrjeteve sociale e kanë kanosur seriozisht të dëmtuarin Vehbi Kajtazi.

Aktakuza thotë se, i pandehuri Hajvazi ka shkruar dhe ka komentuar në rrjete sociale dhe kanë kanosur gazetarin. Gjithnjë sipas aktit aktuzues, Hajvazi e quajtur Kajtazin përdhunues dhe ka bërë thirrje për pushkatim.

“…Vehbi q… duhet me vjerr para popullit ose pushkatim”, kishte shkruar Hajvazi derisa i dëmtuari kishte shfaqur ndjenja të frikës për jetë.

Kurse, i pandehuri Raci sipas kësaj aktakuze thuhet se ka kanosur seriozisht të dëmtuarin Kajtazi duke kërkuar t’i shkaktohen lëndime të rënda trupore.

“O ktij duhet me ja thy nofullen e nalt dhe të poshtme me lan gjytyrym këtë m… po ky asht i shitur garant të Rusia apo Serbia…”, kishte shkruar Raci përderisa tek i dëmtuari është shfaqur ndjenja e frikës për jetë.

Tutje, aktakuza thotë se i pandehuri Gashi përmes rrjeteve sociale kishte kërkuar t’i kallet familja e gazetarit.

“Ti je biri i sh… ty duhet familjen e ty me të kall me cka ki”, kishte shkruar Gashi derisa tek i dëmtuari është shfaqur ndenja e frikës për jetë.

E i pandehuri Hazrollaj, sipas kësaj aktakuze thuhet se përmes rrjeteve sociale kishte shkruar se gazetarin duhet me vra në gojë.

“ Ti është mir me vesh ni fustan të shkurt e me shku me punu naper kafe te muzikës sa han mut aty more pis meta qi nanën met vra në gojë”, kishte shkruar Hazrollaj, me të cilat fjalë e kanë kanosur seriozisht të dëmtuarin Kajtazi tek i cili është shfaqur ndjenja e frikës për jetë.

Me këto veprime, të pandehurit Hajvazi, Raci, Gashi dhe Hazrollaj po akuzohen se secili veç e veç  kanë kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me  gjobë ose me burgim deri në një vit.  /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.