23-11-2024

Turistët në Prizren shkojnë për monumente e trashëgimi, papastërtia një ndër pakënaqësitë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, konkretisht Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka realizuar një studim mbi kënaqshmërinë e turistëve që kanë vizituar qytetin e Prizrenit, duke e ditur rëndësinë e turizmit dhe përfitimit të shumanshëm të tij dhe për të pasur një pasqyrë më të qartë për nivelin e kënaqësisë dhe pritshmërive të turistëve që zgjedhin Prizrenin si destinaicon turistik.

Në njoftimin për media thuhet se si qëllim tjetër i hulumtimit ka qenë identifikimi i komponentëve kryesorë të turizmit që ndikojnë në tërheqjen e më shumë vizitorëve në Prizren dhe ndërtimi i një matësi për vlerësimin e përmbushjes së pritshmërive të turistëve me Prizrenin.

“Pastaj, motivet për përzgjedhjen e Prizrenit, aktivitetet e planifikuara, si dhe nivelin e përmbushjes së këtyre pritjeve”, thuhet në njoftim.

MKRS thotë se me përgjigjet e tyre, “vizitorët na kanë ofruar disa rekomandime që do të mund të rrisin kënaqësinë turistëve në të ardhmen”.

“Sipas të anketuarve, monumentet e trashëgimisë kulturore, mikpritja, atmosfera lokale dhe natyra janë disa nga faktorët kryesorë që ndikojnë në kënaqësinë e përgjithshme të vizitorëve. Në anën tjetër, pakënaqësia më e madhe, është shfaqur në të gjitha përgjigjet e tyre që kanë të bëjnë me pastërtinë e destinacionit dhe problemin e qarkullimit të veturave në Qendrën Historike të Prizrenit”, thuhet në komunikatë.

Hulumtimi ofron rekomandime për politkbërësit e vendimmarrësit e përfshirë në industrinë e turizmit të nivelit lokal dhe qendror mbi hapat e ardhshëm që turistët besojnë se duhet të ndërmerren për të rritur konkurueshmërinë e Prizrenit si destinacion turistik./tvpz

Asnjë koment

Comments are closed.