25-11-2024

Turqia mbështet Kosovën në NATO, Erdogan: S’kemi nevojë të marrim leje nga askush (VIDEO)

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se vendi i tij e mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Madje, ai tha se për ta bërë një gjë të tillë Turqisë nuk i nevojitet leja e askujt.

“Turqia, si vend i rëndësishëm i NATO-s, nuk shikon asnjë gjë që nuk shkon për sa i përket anëtarësimit të Kosovës këtu. Për ta mbështetur procesin e anëtarësimit në NATO s’kemi nevojë për të marrë leje nga askush. Ne i kemi ndërmarrë hapat tanë, ashtu siç i ndërmorëm në rastin e njohjes, ashtu do të bëjmë edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO”.

Erdogan foli edhe për njohjet për vendin tonë, që ka kohë që janë ndalur, dhe tha se nga presidentja Vjosa Osmani ka marrë emrat e vendeve që s’e njohin Kosovën, qëndrimin e të cilëve do të përpiqet ta ndryshojë.

“Siç e dini, sa i përket çështjes së njohjeve për Kosovën, hapi i parë u hodh nga ShBA-ja, që ishte shteti i parë që e njohu dhe unë atëherë isha kryeministër dhe ishim duke mbajtur mbledhjen e qeverisë dhe sapo e morëm njoftimin, vendi i dytë që e njohu pavarësinë e Kosovës ishim ne, Turqia. Po ashtu edhe në procesin e njohjeve në vijim për Kosovën i ndërmorëm të gjitha hapat. Unë në atë kohë si kryeministër, bashkë me ministrat, nëpërmjet takimeve dhe kontakteve me homologë, e përshpejtuam procesin e njohjeve për Kosovën dhe ende vazhdojmë ta ndjekim këtë proces”.

“Në të njëjtën mënyrë vazhdojnë takimet dhe kontaktet tona për të sjellë njohje të reja nga vendet që nuk e kanë bërë. Vjosa Osmani, në takimin që e patëm tête-à-tête (ballë për ballë), më dha emrat e disa vendeve për të siguruar njohje të reja të Kosovës dhe urojmë që të kemi njohje të reja”./ Klankosova.tv

Asnjë koment

Comments are closed.