Ujku hyn në banjon e një shtëpie në Deçan (VIDEO)

Një ujk në Strellc të Deçanit gjeti strehë në shtëpinë e një familjeje, për pak orë.

Madje, bisha hyri nga dera e shtëpisë e më pas u ngjit edhe shkallëve. Pa e parë e pa e dëgjuar askush, ai gjeti rehatinë në vaskën e banjos.

Banorët e shtëpisë i treguan Klan Kosovës se të frikësuar dolën jashtë, ndërkohë që e thirrën Hysni Rexhajn për t’i ndihmuar.

Personi i njohur me nofkën “Mbreti Gjk” arriti ta largojë ujkun nga aty për pak kohë.

“Unë e di si i tërheqin ata në Evropë, me ndonjë pushkë ose ndonjë vaksinë, ndërsa unë i largoj shumë lehtë dhe në mënyrë natyrale”, tha njeriu që bashkëjeton me kafshët.

Ujku u mbajt katër ditë në kopshtin “Ujku” bashkë me pesë ujqit e tjerë që Rexhaj posedon, e më pas u lëshua në bjeshkët e Vokshit.