Prizreni tashmë ka veprën artistike të quajtur “Ura e kaltër e dashurisë”, ku jo vetëm vendasit, por edhe vizitorë të ndryshëm mund të vendosin dryna, në shenjë të dashurisë.
Ky monument përbën një atraksion, duke i bërë të rinjtë më romantik, ku shumë çifte lidhin dashurinë e tyre.
Prej kohësh në këtë vend bëhen edhe foto të shumta, kryesisht të të rinjve dhe çifte, të cilat mbajnë ato si kujtim të vendit, që duan ta kenë si simbol dashurie e bashkimi. Për këtë duhet vëmendje ndaj saj.
Ura që ndodhet afër ‘shatërvanit’ të Prizrenit, për shkak të dëmtimeve kërkon riparim. Siç shihet edhe nga fotot, disa pllaka në shtresën e sipërme janë hequr e disa të tjera janë dëmtuar edhe nga dimrat. Gjendja e saj kërkon intervenim për riparim nga komuna.
Për “dorën e shtetit” apo të ndonjë organizate joqeveritare, po ashtu ka nevojë edhe pjesa anësore metalike, në të cilën propozojmë që të bëhet ndonjë pikturim, me motive të dashurisë, pasi që edhe ura, tashmë i dedikohet kësaj ndjenje njerëzore.
Konstruksioni metalik në të cilin janë të vendosur drynat, paraprakisht duhet hequr dhe pas pikturimit të rivendosen prap. Kjo për shkak se në këtë vend po bëhen foto të shumta, nga qifte të reja, të cilat edhe po shpërndahen nëpër rrjete sociale. Kësisoj pamja e re do të përmirësonte imazhet në fotot e shkrepura.
Pikturën mund ta bëjë edhe ndonjë student i pikturës, e mbase këtë si test për temën e tij të diplomës.
Ura e kaltër, me një projekt të shoqërisë civile në Prizren është emëruar si ura e dashurisë. Tashmë është bërë si traditë, që të rinjtë dashurinë e tyre ta kurorëzojnë duke lidhur një dry për pjesën anësore të urës. Disa të tjerë hedhin drynin në lum, me shpresën që dashuria t’u ecë sikur uji.