Ura simbol i besës dhe vetëflijimit
Ese/ Shkruan: Jehona Krasniqi-Morina
Mbijetesa njihet që nga fillimet e njerëzimit. Kohërat ndryshonin, ndërsa me krejt pak zbutje ajo, pothuajse mbetej e njëjtë, pasi në mungesë të organizimit të mirëfilltë shoqëror, pasiguria për të ardhmen ishte edhe më e theksuar. Kjo gjendje natyrisht se reflektohej edhe në çështjen e komunikimit në mes dy brigjesh të një lumi, kur njerëzit kishin nevojë për kryerjen e punëve, deri te ceremonitë familjare të gëzimit e mortjes.
Kontaktet e vetme me tokën, nëpër sipërfaqet e lëmuara e shpesh edhe të trazuara të ujit, atëkohë i mundësonte vetëm komunikimi me anë të lundrës, një mjet ndër më të vjetrit dhe të rëndësishmit për bartjen nga njëri në bregun tjetër të lumit. Pasi nuk ishin të rralla rastet me fatalitet, njerëzit ia kishin frikën ujit, ndërsa e radhitnin ndër tri gjërat që nuk kanë mëshirë ndaj njerëzimit: “uji, zjarri dhe pushteti nuk kanë aman”.
Deri vonë, e mbase edhe tashmë nëpër lokalitetet ku ka lumenj më të mëdhenj, vazhdon bindja se uji apo lumi merr së paku nga një viktimë në vit. Sipas gojëdhënave ky është një haraç që domosdo e kërkonte uji, ndërsa viktimat ishin të moshave të ndryshme, por për shkak të ekspozimit më e rrezikuar ishte gjinia mashkullore.
Meqenëse jetonin afër lumit Drini i Bardhë dhe Lumbardhit, fat të tillë patën edhe një pjesë e konsiderueshme e banorëve të komunës së Prizrenit, sidomos Hasi, Anadrinia, pastaj Luma dhe Lugina e Lumbardhit.
Fëmijë e burra, por edhe kafshë pësuan gjatë tentimit për të kaluar matanë bregut. Për kalimin e lumit, njerëzit planifikonin dritën, ndërsa njohja e shtigjeve më të sigurta ishte e domosdoshme. Vendbanimet skaj lumit kanë qenë dëshmitar të thirrjeve për ndihmë nga frika për mbytje në ujë, nga kërkesat e shumta për shoqërim në bregun tjetër, kërkesa për strehim apo bujtje për një natë, e në më të keqen edhe dëshmitar të viktimave të ujit, sidomos gjatë fryrjeve të lumenjve, nga të reshurat.
Ura dhe lundra e dikurshme në Rogovë të Hasit
Por edhe këtu kishte një të mirë. Lundërtarët ishin ata që siguronin fitime nga zanati i tyre, duke ofruar udhëtime kundrejt pagesave për nevojtarë, që prisnin kalimin përtej bregut. Situata të ngjashme kërkuan një zgjidhje më të lehtë për sfidimin e ujit, duke mos lundruar nëpër të, por që përmes urës, të kalohet mbi lum. Mundësia e tillë përjetohet si fitorja më e madhe, sidomos e njerëzve që jetonin pranë ose në afërsi të lumenjve të mëdhenj. Ndërtimi i urave ishte gëzim, evokim rastesh, shpresë, e për shumë kë që ia pa sherrin ujit, duke humbur familjarë, ishte emocional.
Nga përhapja e lajmit për fillimin e ndërtimit të një ure, temë bosht në rajonet që lageshin nga lumenjtë bëhej pikërisht realizimi i projektit, pasi hiqej frika për lëvizje e kjo ngjallte shpresë, ndër tjera duke ndërprerë edhe shpërnguljet. Por, derisa gëzimi ishte matanë brigjeve, ndryshe ishte në sipërfaqet e lumit. Konkurrentët e drejtpërdrejtë, sidomos lundërtarët, i shihnin me sy të keq ndërtuesit e urës, ata që brigjet i lidhnin mes vete pa prekur fare ujin, duke bërë që njerëzit të kalojnë mbi të, madje edhe në furtunat më të mëdha pa ndier frikë e shpesh, duke harruar se po kalojnë mbi lum, dikur një pengesë e patejkalueshme.
Ura shihej një rrezik për ekonominë e lundërtarëve, pasi ndër tjera edhe ua hiqte rëndësinë atyre, që një kohë konsiderohej e vetmja alternativë për kalimin e lumit, e shpesh edhe organizimin e linjave të jashtëzakonshme, varësisht nga nevojat familjare të banorëve. Lundërtarët, sikur edhe sot konkurrentët modern përpiqeshin ta neglizhonin e pengonin ndërtimin e urës. Kjo i çonte ata në histori, që me kalimin e kohës edhe do të harrohej, pasi brezat e rinj, tashmë rrëfimet e tilla mund t’i kuptojnë edhe si përralla.
Ndodhitë rreth lundërtarëve dhe urave u bartën në krijimtarinë gojore e të shkruar. Ato u bënë subjekt i këngëve në rapsodi të shumta popullore, që përçonin porosi për fitoren e të mirës për njerëzimin. Në përpjekje për jetësimin e projekteve të shpresave janë krijuar edhe legjenda, që japin mesazhe të forta të besës dhe të flijimit, për të mirën e përgjithshme. Edhe sot e kësaj dite rapsodë nga të gjitha anët u këndojnë ngjarjeve të tilla sipas varianteve të tyre, për murosjen e gruas, si formë më e lartë e sakrifikimit njerëzor për të mundësuar qëndrimin në këmbë të kështjellës, etj.
Ide të kësaj natyre jepen në legjendën e Kështjellës së Rozafatit, apo edhe kësaj më të afërmes me lokalitetin tonë, ndërtimit të Urës së Fshejt (Shenjt), për të cilën thuhet se e ndërtuan hasjanët.
Element nga e kaluara e ndërtimit të urave apo kështjellave janë bartur edhe në ditët e sotme, pasi në themelet e shtëpive, si shenjë qëndrese, gjithmonë theret nga një kafshë me qëllimin që shtëpia të ketë “kurban”, mishi i së cilës u dërgohet të varfërve. /GazetaePrizrenit.net/