26-04-2024

Urdhërohet raport shtesë për ekspertizën financiare në gjykimin për korrupsion ndaj zyrtarit të Dragashit

Gjykata Themelore në Prizren ka urdhëruar që të dorëzohet raport shtesë për ekspertizën financiare lidhur me veprimet e zyrtarit autorizues Avni Nebiu rreth faturave të nënshkruara gjatë viteve 2015-2017 në gjykimin ku i njëjti po akuzohet për korrupsion

Nga seanca paraprake, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi i dha afat Prokurorit të Shtetit që të sigurojë dokumentacionin përkatës për plotësimin e ekspertizës financiare për veprimet e të akuzuarit Avni Nebiu.

Në seancën e së premtes, Prokurori, Mehdi Sefa deklaroi se pas përfundimit të seancës së 10.12.21 kishin bërë përpjekje përmes Policisë së Njësitit të Krimeve Ekonomike të na sigurojnë dokumentacionin përkatës, mirëpo në pamundësi që ata të sigurojnë këto dokumentacione, Prokuroria i kishte bërë kërkesë Kuvendit Komunal të Dragashit, konkretisht Drejtorisë për Financa për sigurimin e të dhënave të kërkuara për vitin 2015, 2016 dhe 2017 të cilat dokumentacione, i kishin pranuar e pas kësaj i kishte dorëzuar në Gjykatë para 4-5 ditëve.

Po ashtu, Prokurori i Shtetit Mehdi Sefa propozoi që këtë dokumentacion që përfshijnë urdhër obligime dhe urdhër blerje dhe faturat t’i dorëzohen ekspertit financiar Agim Sheqiri për përpilimin e ekspertizës shtesë financiare, konkretisht që eksperti të deklarohet lidhur me urdhër obligimet, urdhër blerjet dhe faturat e nënshkruara nga Avni Nebiu për vitin 2015, 2016, 2017 në cilësinë e zyrtarit autorizues të Departamentit të Financave.

Mbrojtësi i të akuzuarit Avni Nebiu, avokat Fatmir Jelliqi deklaroi se pajtohet me propozimin e Prokurorit të Shtetit.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi lëshoi urdhëresë për sigurimin e raportit shtesë në bazë të dokumentacionit që ka dorëzuar Prokurori i Shtetit për ekspertin Agim Sheqiri.

Seanca e radhës do të caktohet pasi eksperti të përfundon ekspertizën e urdhëruar.

Ndryshe, në këtë rast, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe konflikit të interesit akuzohej edhe Ahmet Bahtijari si dhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare edhe Selajdin Vehbi, mirëpo të njëjtën e kishin pranuar fajësinë dhe janë dënuar me 2 vite e 4 muaj burgim me kusht.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Nebiut dhe Selajdin Vehbi, për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ahmet Bahtijari, përveç për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ngarkohej edhe për “Konflikt të interest”.

Sipas aktakuzës, Ahmet Bahtijari akuzohej se gjatë periudhës 2004 e deri më 2017, në cilësinë e Drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i tij, Armend Bahtijari.

Kështu që thuhet se i mundësoi djali të tij dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro, dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, i cili ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Bahtjari akuzohej se në periudhën e njëjtë kohore, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, personalisht merr pjesë në çështje zyrtare në të cilën anëtari i familjes-djali i tij, Armend Bahtjari ka interes financiar, në atë mënyrë që e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti” dhe, kështu i mundëson djalit të tij, dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Konflikt i interesit”, nga neni 424 paragraf 1 të KPRK.

Ndërsa, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, thuhet se gjatë periudhës nëntor 2014, e deri në kohë të pacaktuar, në cilësi të personave zyrtarë të Komunës së Dragashit, Avni Nebiu, zyrtar autorizues i pagesave, ndërsa Selajdin Vehbi, zyrtar certifikues, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit.

Aktakuza thotë se të pandehurit Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, nënshkruajnë urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve.

Kështu që, sipas aktakuzës, i mundëson dobi pasurore pronarit të servisit “Menti”, për vitin 2015 shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.