19-04-2024

Vaksina amerikane hyn në fazën e fundit të testimit

Vaksina kundër koronavirusit e firmës amerikane “Moderna” hyri në fazën e tretë të testimit. Ajo do t’u injektohet 30 mijë vullnetarëve të shëndetshëm e ndarë në dy doza. Për këtë vaksinë qeveria amerikane ka vendosur në dispozicion rreth 1 miliard dollarë.

Kompania bioteknike amerikane, Moderna, njoftoi të hënën nisjen e fazës së tretë të testimit të një vaksine kundër koronavirusit, pas dy fazave të tjera të suksesshme.

Në fazën e tretë, rreth 30,000 vullnetarëve që gëzojnë shëndet të plotë, do t’u jepen dy doza të vaksinës, çdo 28 ditë, për të parë nëse ajo ofron mbrojtje afatgjatë kundër koronavirusit.

Vaksina quhet mRNA-1273 dhe përmban një pjesë të vogël të kodit gjenetik të koronavirusit. Ajo nuk do ta shkaktojë sëmurjen e vullnetarëve, por pritet ta trajnojë sistemin e tyre imunitar që ta identifikojë dhe ta luftojë infektimin nga koronavirusi.

Kompania paralajmëroi se do të duhen disa muaj kohë për të parë nëse vaksina funksionon në periudhën afatgjatë.

Vaksina e Modernas nuk është e para që hyn në fazën e tretë të testimit, faza e fundit përpara se kompania të paraqitet pranë një autoriteti rregullator për vlerësim dhe miratim të mundshëm.

Lajmi për kalimin në fazën e tretë të testimit të vaksinës së Modernas bëri që aksionet e saj të rriten me 11 për qind brenda ditës duke arritur kuotën e 81.31 dollarëve.

Qeveria federale amerikane po e mbështet projektin e firmës Moderna me rreth 1 miliard dollarë dhe e ka përzgjedhur atë për t’u testuar në masë, transmeton oranews. Moderna dhe firma britanike AstraZeneca kryesojnë garën me vaksinat e tyre kandidate.

Në fazën e tretë ka hyrë edhe vaksina që po zhvillohet nga Universiteti i Oksfordit në bashkëpunim me firmën AstraZeneca.

Në të gjithë botën janë duke u zhvilluar mbi 150 vaksina kundër koronavirusit dhe ndodhen në faza të ndryshme të testimeve, 23 prej të cilave kanë hyrë në fazën e testimit tek njerëzit.

Koronavirusi, që shkakton sëmundjen COVID-19, ka prekur deri më tani mbi 16 milionë njerëz në mbarë botën.

Asnjë koment

Comments are closed.