03-12-2024

Vala dhe IPKO shtrenjtojnë çmimet e thirrjeve dhe të SMS-ve

Konsumatorët e Vala-s gjatë muajit tetor kanë paguar 9 centë për çdo minutë për thirrje telefonike brenda të njëjtit operator, por në fillim të nëntorit çmimi është ngritur në 13 centë.

Për thirrje telefonike me operatorë tjerë brenda Kosovës, çdo minutë konsumatorëve të Vala-s do t’iu kushtojë 15 centë. Gjatë tetorit, ky çmim ka qenë dy centë më i lirë.

Rritje të çmimeve ka pasur edhe për SMS. Nga 2 centë sa ka qenë, dërgimi i një porosie të shkurtër është bërë 6 centë.

Përveç Vala-s, edhe operatori tjetër i vendit, IPKO, ka rritur çmimet e shërbimeve për konsumatorët e vet.

Nga 9 centë sa ishte një minutë deri në muajin nëntor, tashmë çdo thirrje kushton 13 centë brenda rrjetit të IPKO-s. Ndërsa jashtë operatorit, nga 10 centë sa ka qenë është bërë 15 centë, kurse çmimi për SMS tashmë kushton 6 centë.

Këtë e ka konfirmuar për “Kohën Ditore” edhe Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ndonëse ka thënë se tarifat e shërbimeve të telefonisë mobile me pakicë nuk janë objekt rregullimi nga ky institucion, me përjashtim të tarifave të roamingut me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në përgjigjen dhënë gazetës, ARKEP-i thotë se të gjitha tarifat tjera me pakicë i përcaktojnë vet operatorët.

“Janë rritur vetëm çmimet standard për thirrjet jashtë pakove dhe në disa raste vetëm për përdoruesit me parapagim. Edhe në vendet tjera të rajonit dhe me gjerë, operatorët ofrojnë shërbime në pako si për përdoruesit me parapagim po ashtu edhe për ata me kontratë, në të cilat me një tarifë fikse ofrojnë minuta, SMS dhe qasje në internet mobil (megabajt), shumëfish më lirë se sa këto shërbime të bliheshin një nga një”, ka thënë ARKEP-i, raporton Koha.net.

Sipas këtij institucioni, deri te rritja e çmimeve nga operatorët e telefonisë mobile në vend ka ardhur pasi që përdoruesit tanimë po i përdorin vazhdimisht e më pak shërbimet tradicionale të thirrjeve, ndërsa këtë e kanë zëvendësuar me aplikacione për komunikim përmes internetit.

“Përdorimi i aplikacioneve për komunikim ka ndikuar drejtpërdrejt në rënien e përdorimit të shërbimeve tradicionale dhe rrjedhimisht edhe në rënien e të hyrave për operatorët ndërsa në anën tjetër shpenzimet operative dhe kapitale janë rritur për operatorët, të cilët në vazhdimësi janë duke e zgjeruar zonën e mbulimit, mirëmbajnë dhe modernizojnë rrjetin, etj”, shton më tej Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Ky institucion thotë se struktura e përdoruesve të telefonisë mobile në Kosovë 95% është me parapagim, gjë që, sipas tyre, krijon pasiguri në realizimin e të hyrave për operatorët, ndërsa shton se në disa vende të rajonit dhe ato të BE-së është kundërta, që do të thotë se numri i parapaguesve me kontratë është më i lartë.

Me rritjen e çmimeve jashtë pakove, ARKEP-i thotë se operatorët po tentojnë t’i nxisin konsumatorët e tyre që sa më shumë të marrin shërbime në pako të cilat janë më të leverdishme për ta dhe njëkohësisht krijon stabilitet financiar për operatorët.

Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka thënë se janë njoftuar nga operatorët për këtë vendim në bazë të nenit 8 të Rregullores për Kontratat, transparencën dhe publikimin e informatave dhe masave tjera mbrojtëse për përdoruesit fundorë për ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike.

Gazeta u ka dërguar të hënën (9 dhjetor) pyetje edhe dy operatorëve në vend, Vala-s dhe IPKO-s, në lidhje me këtë çështje, por deri në momentin e raportimit nuk ka marrë përgjigje nga ta.

Asnjë koment

Comments are closed.