Valdete Daka: Nesër i shpallim rezultatet përfundimtare
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se ky komision ka më tepër se një javë që është gati t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetori.
“Por përfundimisht nesër do t’i shpallim rezultatet përfundimtare”, ka thënë Daka, njofton Klan Kosova.
“Kandidatët dhe subjektet politike kanë afatin 24 orësh për ankesa. Nëse PZAP nuk merr vendim për ndonjë rinumërim atëherë ne jemi të gatshëm që t’i certifikojmë rezultatet”.
“Sipas meje deri në ditën e zgjedhjeve çdo gjë ka qenë e shkëlqyeshme, dita e zgjedhjeve ka qenë e vlerësuar si një ditë e organizuar mirë dhe jemi marrë shembull edhe në rajon. Ankesat kanë bërë që procesi të stërzgjatet”.
“Votimi jashtë Kosovës na tregon se ligji ka defekte. Gjithmonë po organizojmë zgjedhje të parakohshme në afate të shkurta dhe nuk mund t’u japim mundësi të gjithëve siç parasheh ligji sepse ligji parasheh organizmin e zgjedhjeve të rregullta”.
Ajo ka thënë se zgjedhjet e fundit parlamentare kanë qenë të katërtat për të në krye të KQZ-së.
“Sidomos pas këtyre zgjedhjeve dhe atyre që kanë dalë është e pashmangshme reforma zgjedhore. KQZ nuk mund ta lë askënd jashtë, KQZ vetëm i transmeton rezultate që i ka prodhuar dikush tjetër – populli. Ne nuk krijojmë rezultate, vetëm i shpallim ato sipas votuesve”.