Varroset oficeri policor prizrenas, Ridvan Kalanderi
Dje, ka ndërruar jetë oficeri policor në Prizren, Ridvan Kalanderi, në moshën 59 vjeçare, duke humbur betejën e tij jetësore nga një sëmundje e rëndë që e kishte kapluar. Ai sot është varrosur me nderime të larta, në fshatin e tij të lindjes, Kosavë të Opojës së Dragashit. I ndjeri Kalanderi me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal ka kryer përgjegjësitë e tij, duke qenë oficer i Policisë së Kosovës në sektorin e trafikut.
Përveç angazhimeve në polici, të cilat i kishte filluar në vitet e tetëdhjeta dhe i ishte ndarë këtyre përgjegjësive sikurse shumë kolegë të tij në fillim të të nëntëdhjetave, duke u larguar vullnetarisht pas vendosjes së masave të dhunshme të aparaturës serbosllave edhe në polici.
Kohën e okupimit të egër e kaloi duke kontribuar maksimalisht në mbajtjen gjallë të sportit, një ndër fushat që iu kundërvunë suksesshëm aparteidit serb. Ai ishte një ndër themeluesit e klubit të mundjes “Prizreni”, si dhe ndër iniciatorët e formimit të klubit futbollistik “ Opoja”, duke qenë kryetar i kësaj skuadre për vite të tëra kur ajo garonte në elitën e futbollit kosovar.
Pas luftës, i ndjeri Kalanderi, me mjaft sukses ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e sportit të mundjes jo vetëm në Kosovë, ndërsa për vite të tëra ka ndarë drejtësi në gara të ndryshme ndërkombëtare nën logon e Federatës Botërore të Mundjes FILA. Me vdekjen e tij, vendi ynë ka humbur një punëtor të dalluar sportiv, ndërsa policia një profesionist shembullor./tvprizreni/