Drejtoria e Inspektorateve në Prizren, ka vazhduar me aksionin e saj për largimin e të gjitha objekteve dhe terrasave të cila i kanë ngritur bizneset e ndryshme.
Të gjitha këto objekte sipas Islam Thaçit, drejtor i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, janë ndërtime pa leje, dhe kanë prishur konstruktin e qendrës historike.
Sot aksioni i inspektoratit ka vazhduar afër Hotel ”Theranda”, ku është larguar konstruksioni i metalit, i karakterit të përkohshëm.
“Ky është një aksion i Komunës që do të vazhdojë edhe ndaj 24 bizneseve tjera që kanë bërë ndërtime të tilla pa leje, dhe kanë prishur konstruktin e qendrës historike”, ka thënë Thaçi për kALLXO.com.
Kallxo.com ka raportuar ditën e djeshme kur edhe ka filluar aksioni i Inspektoratit për largimin e këtyre objekteve, e fillimisht ju largua konstruksioni i lokalit të djalit të ish- Drejtorit të Inspektoratit Bujar Hasani.
KALLXO.com kishte raportuar që nga fillimi lidhur me terrasën e lokalit i cili fillimisht ishte në emrin e ish drejtorit të Inspektoratit Bujar Hasani i bartur më pas në emrin e djalit të tij.
Pas raportimeve të KALLXO.com Prokuroria e Prizrenit kishte nisur hetime të cilat kishin rezultuar me ngritjen e aktakuzës ndaj Bujar Hasanit dhe Enver Bytyqit.