27-04-2024

Vdekja e 50-vjeçarit në Spitalin e Prizrenit, flet Xheladin Qelaj: Ashensori u bllokua, vëllai doli pa shenja jeta nga aty

Dje në Spitalin Prizrenit ka ndërruar jetë Jetullah Qelaj i moshës 50-vjeçare.

Vëllai i të ndjerit Xheladin Qelaj, thotë për RTV Dukagjinin se vëllai i tij ka ndërruar jetë për shkak të pakujdesisë së stafit të spitalit.

“Në repartin e Urologjisë po qëndronte i shtrirë vëllai dhe për të po kujdestaronte djali i tij. Ky i fundit më ka bërë telefonatë dhe më ka thënë eja urgjentisht se gota që pastronte oksigjenin është thyer. Derisa kanë gjetur një gotë kanë shkuar tre-katër minuta dhe niveli i saturimit të vëllai ka rënë shumë duke e rrezikuar jetën. Për atë arsye më ka thirr në ndihmë djali i vëllait”, tregon Qelaj, përcjell Telegrafi.

“Kur kam shkuar aty kamë parë se vëllai po luftonte me jetën dhe afër tij ishin vetëm djali dhe gruaja e tij. Kam shkuar deri te dhoma e teknikut dhe e kam parë se ai po rrinte aty dhe qysh atëherë e ka thirr mjekun kujdestarë”.

“Kur ka ardhur mjeku kujdestarë e ka parë nivelin e ulët të saturimit, por që ishte duke u përmirësuar. Niveli i saturimit ishte rreth 59. Mjeku na ka thënë se me ketë nivel të saturimit ky pacientë e ka të vështirë mbijetesën. Ne kemi pasur frikë se ai do të vdesë rrugës por mjeku ka insistuar ta bëjmë transportin duke e furnizuar me oksigjen me bombolë pasi sipas tij edhe ashtu vëllai rrezikonte të vdesë. Më pas kanë ardhur edhe dy-tre mjekë nga reparti intenziv dhe së bashku kanë vendosur transportimin e që ne jemi pajtuar pasi ka vendosur mjekësia”.

Ironia e fatit për vëllain e Xheladinit qëndron se ai u bllokua në lift për shkak të problemeve teknike duke dalë nga lifti pa shenja jete.

“Kanë marrë bombolën që e përdorë ndihma e shpejtë. E kamë parë që ka pasur pak shtypje për qka kam dyshuar se edhe ajo mund të jetë e zbrazët. Me një shpejtësi të mirë me shtrat lëvizës e kemi dërguar te ashensori. Asnjëri nga anëtarët e stafit nuk kanë pasur kartelë për të lëvizur ashensorin. Kanë kaluar tre-katër minuta derisa ka ardhur dikush që ka pasur kartelë. Pasi jemi futur në lift dhe jemi nisur, lifti na është bllokuar. 5-6 minuta na janë shpenzuar edhe këtu pasi që personi përgjegjës për rregullimit e liftit nuk është lajmëruar në telefon. Më pas ka ardhur një person që ka pasur një pajisje për të hapur liftin në mënyrë mekanike. Derisa është hapur lifti kanë kaluar edhe 5-6 minuta tjerë dhe kur kemi dalë nga lifti, vëllai ka qenë pa shenja jete”.

Xheladin Qelaj thotë se kjo ka qenë vrasje nga pakujdesia, derisa thotë se ka parë edhe mjekë shumë të mirë.

“Vëllai im ka shkuar, shpresoj të mos ketë viktima tjera për shkak të këtyre pakujdesive”, thotë ndër të tjera Xheladin Qelaj./Telegrafi/

Asnjë koment

Comments are closed.