25-08-2026

Vdekja e profesorit: Kurti rikujton takimin e fundit me Eqrem Kryeziun

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesorit, Eqrem Kryeziu, njëherësh njëri nga figurat më historike të LDK-së.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti rikujtoi herën e fundit që ishte takuar me të ndjerin.

 

“Herën e fundit që u takuam në shtëpinë e tij në Prizren, ishte nga fundi i dhjetorit të vitit 2025. Diskutuam shtruar e këndshëm për atë çka qenë dhe si është Kosova. Vullneti njerëzor dhe kthjelltësia mendore ia tretnin çdo vështirësi shëndetësore. Si ngahera, e kishte të pamundur të thoshte fjali të rëndomta; një lloj mendimi të thellë dhe të qartë njëkohësisht e kishte për standard bisede”, ka shkruar Kurti.

Përveç tjerash, Kurti tha se Kryeziu, përpos si politikan përherë në shërbim të Prizrenit, sipas tij, ai zhvilloi një karrierë të gjatë e dha një kontribut të madh në arsim dhe akademi, si profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës.

“Ish-kryetari i Prizrenit, deputeti nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe ish-nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, i takon një gjenerate dhe një kohe kur të merreshe me politikë nënkuptonte të angazhoheshe vazhdimisht, me gjithçka e për çdo gjë. Libri i tij që ma dhuroi më pas “Poetika e Zef Skiroit” është i jashtëzakonshëm. U prehtë në paqe!”.

Asnjë koment

Comments are closed.