Vdekja tragjike e punëtorit 18-vjeçar në Prizren, arrestohen gjashtë mbikëqyrës e punëtorë të dy kompanive
Para rreth një jave, një punëtor 18-vjeçar në Prizren, Astrit Krasniqi, humbi jetën tragjikisht si pasojë e lëndimeve të rënda që pësoi në vendin e tij të punës. Viktima vdiq në QKUK, ku u dërgua për trajtim, por nuk mundi t’iu bëjë ballë plagëve. Lidhur me këtë rast, tashmë janë ndaluar gjashtë persona të dy kompanive, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin nga Policia Rajonale në Prizren, me ç’rast kanë bërë me dije se të dyshuarit janë mbikëqyrës të punimeve dhe punëtorë të dy firmave punuese.
“Njësiti i hetimeve rajonale Prizren ka arrestuar gjashtë të dyshuar, mbikëqyrës të punimeve dhe punëtorë të dy firmave punuese H.K. (viti i lindjes 1968), C.K. (viti i lindjes 1969), S.K. (viti i lindjes 1965), N.G. (viti i lindjes 1990), D.K. (viti i lindjes 2003) dhe A.Th. (viti i lindjes 2005).
Gjashtë të dyshuarit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.